Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, që kishte shërbyer në vitet 1998-1999 në Kosovë si shef i misioni mbikqyrës të SHBA-së, në dy shkrimet e tij të fundit ka shkruar rreth përpjekjeve të presidentit Hashim Thaçi për rrëzimin e Qeverisë që po drejtohet nga Albin Kurti.
Në shkrimin e parë të publikuar në Peacefare.net të titulluar “Bad Deal”, Byrnes ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po provon që përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës të rrëzojë, Albin Kurtin, nga pushteti.
Sipas ish-diplomatit, Thaçi synon më pas një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike.
“Nga ana e vet, Thaçi e sheh marrëveshjen si një shtesë të trashëgimisë së tij politike. Ai do të dëshirojë që të rrëzojë Qeverinë Kurti për të mbrojtur veten e tij dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për ta çrrënjosur korrupsionin e përhapur. Synimi i Thaçit është që më pas të krijojë një koalicion të ri qeverisës në mes të të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe PDK-së, parti kjo që Thaçi e ka themeluar”, ka shkruar Byrnes.