Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, para nisjes për në Hagë ku do të intervistohet ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Thaçi tha se sot më shumë se kurrë duhet mësimi i urtësisë së presidentit Rugova dhe respektimi i gjakut të derdhur për Kosovën.
Ai theksoi se me respektin për presidentin Rugova dhe të gjithë atyre që dhanë jetën, do të niset për në Dhomat e Specializuara, për të cilat theksoi se i krijuan vetë si vendim strategjik, besim dhe respekt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës , NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Kreu i shtetit të Kosovës beson se nga atje do të kthehet i pastër, duke vërtetuar edhe pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij.
“Tani detyrë e jona është të përballemi me përpjekjen në luftën kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj. Edhe në emër të rezistencës që solli në jetë Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe demokratike për të bindur edhe vetë Serbinë që ta njohë shtetin tonë. Sot më shumë se kurrë na duhet mësimi i urtësisë së presidentit Rugova dhe respektimi i gjakut të derdhur për Kosovën. Nderim e mirënjohje gjithmonë presidentit të parë të Kosovës, si dhe gjithë atyre që dhanë jetën në rezistencë paqësore në fillim dhe pastaj në atë të armatosur deri në fund. Me këtë respekt e mirënjohje do të nisem për në Dhomat e Specializuara që i krijuam vet si vendim strategjik si besim, respekt ndaj SHBA-së, NATO-s dhe BE-së, për t’u kthyer kurdo qoftë prej andej me gjithë pastërtinë e pohuar edhe të bashkëluftëtarëve tjerë botërisht dhe jetës sime për Kosovën e lirë dhe demokratike”.
Thaçi shtoi se po nderon njeriun që i dha fuqizim zanafillës së shtet-ndërtimit të Kosovës.
Ai tha se në historinë e formimit të shteteve në botë, Kosova hyn në rastet e rralla që rrugën e formësimit të shtetit e nisi nga ideja e rezistencës paqësore dhe e mbylli në istikamet e luftës së armatosur.
Durimi dhe qartësia e Rugovës për rezistencën paqësore, si një mision i pamundur në kohën dhe kontekstin kur mori formë, Thaçi tha se dëshmoi deri në fund seriozitetin e këtij njeriu në përpjekje për t’i dalë zot atdheut me një qasje krejt origjinale.
Sipas tij, e vërteta është se pa rezistencën paqësore, pa atë rrugë të shtruar që ishte pikënisje edhe për të dhe bashkëluftëtarët, do të ishte e vështirë për të vazhduar në rrugën e rezistencës së armatosur.
“Të gjithë ne që nisëm kundërshtimet kundër Beogradit në fillim të viteve 90, nuk do të ishim aq të vendosur, aq të trimëruar dhe aq të sigurt në rrugëtimin tonë për liri sikur të mos na kishte pararendur rezistenca paqësore e presidentit Rugova. Rezistenca paqësore bindi së pari shqiptarët e Kosovës se mund të mendonin dhe të bënin shtetin e tyre edhe pse okupimi dukej i përjetshëm. I njëjti projekt e bindi edhe perëndimin se shqiptarët ishin mbijetues dhe jo vëzhgues dhe se ata nuk do të pajtoheshin me pushtimin gjenocidal nga Beogradi. Ky projekt politik e bëri më të justifikueshëm dhe më legjitim fillimin e rezistencës së armatosur si një veprim historik. Kombinimi i rezistencës paqësore dhe lufta e armatosur ishte çelësi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
Thaçi tha se sot duhet të jenë të gjithë krenar që pikënisja e shtet-formimit të Kosovës frymëzimi i lëvizjes çlirimtare në Kosovë nga rezistenca paqësore tek ajo e armatosur, ka nisur nga nevoja për liri, paqe për të gjithë qytetarët e saj.
“E kam njohur presidentin Rugova si bashkudhëtar drejt lirisë, paqes dhe pavarësisë. Si dy njerëz me mendime të ndryshme, por me një qëllim, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet pesha, respekti im mbi historinë tonë të përbashkët për liri dhe shtet ndërtim. Lufta në emër të paqes dhe të drejtave të njeriut ndryshoi mendimin e botës për Kosovën dhe konfirmoi botërisht të drejtën e saj për një shtet ku shqiptarët do të qeverisin bashkë me pakicat e jo të sundohen nga një pakicë e vetme”.
Hashim Thaçi nesër do të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar.
Kujtojmë se më 24 qershor, Dhomat e Specializuar të kësaj gjykate kanë bërë publike propozim-aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli/KP.