Paratë false për qytetarët, ato origjinale për vete – mashtrimi i ish-zyrtarit të PDK-së në Rahovec dhe vëllait të tij

Rreth 7 mijë euro që dyshohet se janë të falsifikuara, janë futur në qarkullim në Postën e Rahovecit. Për këtë kanë rënë në pranga dy persona, menaxheri i Postës njëherit ish asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bejtullah Deliu dhe vëllai i tij Hazeri, raporton Gazeta Sinjali.

Ata dyshohet se përmes Postës kanë zëvendësuar paratë origjinale me false, të cilat më pas janë shpërndarë te qytetarët, ndërsa ato origjinale i kanë futur në xhepat e tyre.

Sipas njoftimit të Policisë, Bejtullahu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa vëllai i tij, Hazeri, për ‘Falsifikim të parasë’.

Me urdhër të prokurorit, dy vëllezërit janë ndaluar për 48 orë.

Ndryshe, Deliu në dhjetor të vitit të shkuar ishte përjashtuar nga PDK-ja në Rahovec.

image 1

Njoftimi i policisë

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Gjakovës ka njoftuar mbrëmë se  pasi ka pranuar informatë nga zyrtarë të Postës së Kosovës se në postën kryesore në Rahovec kishin hasur një shumë të monedhave metalike, të cilat dyshohet se ishin të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, duke grumbulluar të dhëna se një shumë prej 7,000 euro  që dyshohet për të falsifikuara janë futur në shërbim në Postën e Rahovecit.

Me këtë rast, Policia ka arrestuar dy të dyshuar: B.D. (menaxher në Post) dhe H.D.

Në postë janë gjetur dhe konfiskuar nën dyshimin se janë të falsifikuara 1,362 monedha metalike 2-euroshe (gjithsej 2724 euro), 970 monedha 1-euroshe (gjithsej 970 euro), 1,480 monedha 50-centëshe (gjithsej 740euro). Totali i të gjithave është 4,434 euro.Po ashtu, dyshohet se 2,566 euro janë shpërndarë te qytetarët që kanë kryer shërbime në këtë postë, të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve.

Në konsultim me  organet e drejtësisë janë kontrolluar edhe dy lokacione, shtëpia e banimit e personave të dyshuar dhe një lokal biznesi (dyqan).Dy të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës dhe pas  intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimin e arsyeshëm se i dyshuari B.D. ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe i dyshuari H.D.  për falsifikim të parasë.