Parlamenti dhe Këshilli i BE-së bien dakord për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës

Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sot kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.

Siç bëhet e ditur, tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit.

Rregullat e reja do t’i lejojnë kosovarëve të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.


Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.

“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në njoftim.

Në fund theksohet se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.