Pas faturave të energjisë elektrike, katër komunat veriore sivjet do të faturohen edhe nga tatimi në pronë

Për herë të parë 25 vite pas luftës, katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi, sivjet do të fillojnë faturimin e tatimit në pronë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur sot ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky proces është një hap i rëndësishëm për integrimin e mëtejmë të këtyre komunave në sistemin administrativ të Republikës së Kosovës, duke krijuar mundësi për zhvillimin e infrastrukturës dhe mbledhjen e të ardhurave për investime lokale.

Pas mbylljes në tërësi të strukturave ilegale në gjithë territorin e Kosovës, vazhdimi i institucionalizimit të shërbimeve në veri të vendit me hapjen e zyrave kadastrale, zyrave për regjistrimin e bizneseve, zyrave pensionale e të punësimit, pagesës së faturave të energjisë elektrike, dhe tash edhe me nisjen e faturimit të tatimit në pronë, ky është një hap thelbësor drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët atje.