Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nisma si Samiti për Ballkanin Perëndimor nuk ka më lidhje me Minishengenin Rajonal. “Nuk ka më Minishengen, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti për gazetarët.
Megjithatë, ai ritheksoi edhe një herë nevojën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, në kushtet kur të dyja shtetet marrin pjesë në këtë nismë. “Të gjitha këto nisma ngecin për shkak se mungon njohja nga Serbia. Kjo do ta krijonte situatën në të cilën, jo vetëm Kosova e Serbia, por të gjitha vendet do të mund të ecnin më shumë drejt BE-së. Në fund të kësaj dekade do të duhet të jemi të gatshëm për integrim në BE”, tha Kurti.
“Konstatova që përderisa 6 shtetet e BP janë Europë, atëherë BE nuk është ende Europë, sepse nuk është i kompletuar. Kosova e ka pozitën edhe më të vështirë, për shkak se nuk kemi ende liberalizim të vizave, edhe pse populli i Kosovës është shteti më pro europian në Europë”.
Polemika me Brnabic
Kryeministri i Kosovës tha se pikërisht për çështjen e njohjes, pati edhe një polemikë gjatë takimit me kryeministren serbe, Ana Brnabic. “Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Milloshevicit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vitesh pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.