Një sulm i rëndë fizik ka ndodhur dy netë më parë në xhaminë e fshatit Lupq në Podujevë.
Me mjete të forta është rrahur imami i xhamisë, Zeqir Berisha.
Në lidhje me këtë temë ka reaguar profesor në faktultein e Matematikes dhe këshilltari i ministres Gërvalla, Rexhep Gjergji.
Ai u shpreh se për shkak se u bë temë diskutimi tash e disa ditë do të thotë që radikalizmi islam po përhapet me shpejtësi edhe në vendin ku më parë ishte ruajtur me sukses islami tradicional dhe besimi në Zot.
Ndër të tjera Gjergji thotë që është trimërues reagimi i kryeimamit të Podujevë, Bekim Jashari, por janë dëshpëruese reagimet e vakëta të BIK –ut dhe heshtja e plotë e faktorit politik.
Postimi i plotë
Për kë po bien kambanat!
Tri ditët e fundit janë bërë temë dite, në të gjitha mediat e vendit dhe më gjerë, aktet e dhunshme të fundamentalistëve vehabist që kanë ngritë krye në Podujevë dhe rrethinë. Sulmi brutal mbi imamin e xhamisë në Lupc të Poshtëm të Podujevës dhe trazirat në fshatin Halabak, tregojnë se radikalizmi islam po përhapet me shpejtësi edhe në vendin ku më parë ishte ruajtur me sukses islami tradicional dhe besimi në Zot. Në Podujevë me rrethinë nuk kishte pasur as edhe një rast të vetëm të shkuarjes në luftërat e huaja dhe vëllavrasjet me qëllim të imponimit me dhunë të një forme tjetër të adhurimit të Zotit dhe lutjeve për të. Këto raste janë alarm për shoqërinë tonë e cila synon ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik ku bindjet politike dhe liritë fetare janë të garantuara me ligj dhe me kushtetutë. Manifestimet e tilla vehabiste, madje tash edhe shumë të dhunshme, që duken sheshazi edhe rrugëve, nuk kanë asgjë të përbashkët me bindjet dhe formën se si prindërit tanë kanë manifestuar bindjet e tyre fetare dhe besimin në zot. Është trimërues reagimi i kryeimamit të Podujevë, Bekim Jashari, por janë dëshpëruese reagimet e vakëta të BIK –ut dhe heshtja e plotë e faktorit politik. Është momenti për një mobilizim të përgjithshëm shoqëror kundër këtij rreziku të kobshëm që po i kanoset shtetit dhe shoqërisë tonë. Heshtja ndaj këtyre akteve të dhunës dhe manifestimeve tjera radikale të kësaj natyre është pajtim me to. BIK-u është përgjegjës për situatën e krijuar dhe përshkallëzimin e saj të mundshëm.