Ndërtimi i xhamisë ka ndarë në dysh banorët e fshatit Llugaxhi të Komunës së Lipjanit.
Mirëpo, problemet e tyre janë thelluar edhe më shumë derisa këshilli i xhamisë së fshatit ka iniciuar një padi ndaj 12 bashkëvendësve të tyre, të cilët patën kundërshtuar ndërtimin e kësaj xhamie.
Sami Retkoceri ka thënë se organet e drejtësisë do të merren me lëndën e padisë pasi që 12 persona kanë dëmtuar gur themelin e xhamisë në vlerë prej 6 mijë eurosh, raporton KTV.
Sipas tij, peticioni për ndërtimin e xhamisë e ka tejkaluar peticionin tjetër të kundërt.
Selatin Retkoceri, njëri ndër kundërshtarët e kësaj xhamie, ka thënë se dëmtimi i gur themelit është bërë pasi që punimet kishin filluar pa ndonjë leje nga Komuna dhe shton se andaj padia nuk ka ndonjë bazë juridike.
Edhe Arsim Reçica, i cili po ashtu është paditur, ka thënë se do ta kundërshtojë deri në fund këtë projekt.
Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, ka konfirmuar se banorëve të fshatit Llugaxhi i është ndarë lokacioni për ndërtimin e xhamisë, siç e kanë kërkuar dhe i është dhënë leja ndërtimore.