Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar mediat për paraqitjen e deklaratave të saj në “formë të tjetërsuar”.
Ajo ka thënë se kritika e mediave është e mirëseardhur dhe e domosdoshme, mirëpo fabrikimi dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull.
Ministrja Gërvalla ka thënë se media të caktuara jo rrallë i kanë tjetërsuar fjalët e saj, sa është krijuar përshtypja se ka deklaruar të kundërtën e asaj që ka thënë në të vërtetë.
Reagimi i saj në Facebook:
Të nderuar miq, që nga marrja e detyrës si Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, portale të caktuara mediale fjalët e mia jo rrallë i kanë paraqitur në formë aq të tjetërsuar, sa krijohet përshtypja të jetë thënë pikërisht e kundërta e asaj që është thënë në të vërtetë.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe sot dhe një qasje e tillë është për keqardhje.
Kritika është e mirëseardhur dhe e domosdoshme. Fabrikimi i lajmeve të rreme dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull dhe nuk i bën nder as atyre që i publikojnë, dhe as atyre që më pas mezi presin t’i komentojnë mashtrimet e tilla.
Gabime të tilla mund të evitohen shumë lehtë duke komentuar vetëm atëherë, kur dihet burimi dhe përmbajtja e tekstit të plotë.