Përballë mbetjeve të copëtuara dhe të djegura të një ndërtese është një karrige rozë e shkatërruar dhe e lyer me gjak. I përkiste një vajze të vogël të quajtur Liza.
Katër vjeçarja ishte një nga tre fëmijët e vegjël të vrarë të enjten, kur raketat ruse goditën qendrën e Vinnytsia, ndërsa nëna e saj, Irina Dmitrieva, u plagos rëndë në sulm.
Njëzet e tre persona mësohet se kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë ende të zhdukur. Dhjetëra të tjerë janë ende në spital.
Pak para se të godisnin raketat, Irina kishte postuar një video në internet. Ishte një ditë e bukur me diell dhe Liza e vogël ishte duke buzëqeshur, duke shtyrë karrigen e saj rozë përpara saj, ndërsa bisedonin për të shkuar tek logopedi i saj.
“Liza ishte shumë e gëzuar, i pëlqente të vinte tek ne. Ishte një fëmijë shumë i sjellshëm. Për nënën e saj ishte i gjithë kuptimi i jetës së saj. Ajo e donte atë çmendurisht. As që mund ta imagjinoj se çfarë tragjedie është për familjen”, tha Valeriia Korol për BBC.
Ajo drejton qendrën LogoClub për nevoja të veçanta, ku Liza kishte marrë pjesë në një seancë atë mëngjes, siç bënte shumicën e ditëve.
Katër vjeçarja kishte sindromën Doën dhe llogaria e nënës së saj në Instagram është e mbushur me foto të jetës së vajzës, të cilat ajo filloi t’i postonte menjëherë pasi lindi fëmija i saj i vetëm.
LogoClub ku shkoi Liza është vetëm një bllok larg Sheshit të Fitores, ku goditën raketat dhe stafi i kishte çuar të gjithë fëmijët poshtë në strehë kur u dëgjua sirena e sulmit ajror.
Por si shumë njerëz, Liza dhe nëna e saj ishin ende në rrugë.
Kur filloi lufta, ato ishin kthyer në Vinnytsia nga Kievi për siguri, sepse ishte larg vijës së frontit. Por askund në Ukrainë nuk ka një vend të sigurt.