FOTO&VIDEO

Policë të Shqipërisë me “formulë të re” zhvatjeje ndaj kosovarëve

Një polic në Shqipëri ia ka shqiptuar një kosovari gjobën prej 1 mijë lekësh, por ia ka marrë pesëfishin e kësaj shume. Pasi rasti është denoncuar, polici është arrestuar. Gjatë hetimeve, Policia Gjyqësore në Korçë ka gjetur se rasti nuk është i izoluar, meqë kjo “formulë” zhvatjeje është aplikuar edhe për shtetas të tjerë, kryesisht nga Kosova.

Nga Bashkim Shala

Ankesa e një shtetasi nga Kosova, i cili pretendonte se i ishte vendosur një masë administrative në kundërshtim me ligjin, në vlerën prej 6 mijë lekësh (50 euro), i ka kushtuar me arrest dhe me vend pune një punonjësi të policisë në këtë qytet. Krahas kësaj, ka zbuluar edhe një skemë të re zhvatjeje ndaj kosovarëve dhe shtetasve të huaj.

Një ditë më parë, oficerë të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë ndaluar inspektorin E.Q., nën dyshimin për veprën penale “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Denoncuesi, një drejtues automjeti nga Kosova, ka sqaruar në ankesën e tij se këtij punonjësi të policisë ia kishte dhënë shumën prej 50 eurosh për shlyerjen e kësaj mase administrative, ndërkohë që në fletëgjobën e dorëzuar në polici ai kishte shënuar shumën e 1 mijë lekëve, diku gjashtëfish më pak.

“Nga veprimet hetimore të kryera pas sekuestrimit të bllokut të masave administrative të punonjësit të policisë E.Q., rezulton se masa administrative me numrin përkatës të serisë është me vlerë 1 mijë lekë, gjë e cila tregon mospërputhje me fletën e masës administrative të paraqitur nga denoncuesi”, thuhet në njoftimin e Policisë në Korçë.

Hetimet kanë zbuluar se rasti nuk është i izoluar.

“Në vazhdim të këqyrjes së blloqeve të administruar nga punonjësi i policisë, konstatohen raste të ngjashme edhe për shtetas të tjerë, kryesisht nga Kosova, për të cilat po bashkëpunohet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me qëllim dokumentimin e plotë. Lidhur me këtë rast, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. “AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090”.

Problemet e këtilla me të cilat përballen kosovarët në rrugët e Shqipërisë nuk janë të reja.

Pesë vjet më parë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar ndaj autoriteteve të trafikut rrugor në Shqipëri, duke thënë se autoritetet e trafikut rrugor të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës i zbatojnë standardet e dyfishta: nëse kanë mundësi në vend të fletëgjobave u marrin para si ryshfet, dhe në rast se nuk marrin, atëherë u vendosin gjoba të larta dhe ua konfiskojnë dokumentet.

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar në vitin 2019 një amendament që ndryshon sanksionet për drejtuesit e automjeteve që kanë leje drejtimi të lëshuar nga një vend i huaj, përfshirë edhe ata nga Kosova. Amendamenti i propozuar ka sjellë dyfishimin e gjobave për drejtuesit e këtyre automjeteve në këmbim të mospezullimit të patentë shoferit.

Opozita asokohe kërkoi të rishihet në tërësi Kodi Rrugor i Shqipërisë, me qëllimin për të krijuar lehtësime për qytetarët, dhe e kishte cilësuar dyfishimin e gjobës si masë represive për qytetarët nga Kosova, por edhe për shtetasit e tjerë të huaj, apo që kanë një leje drejtimi të lëshuar nga një vend i huaj.

Por, sipas mazhorancës, ky ndryshim i thjeshtëzon procedurat administrative për shtetasit që kanë leje drejtimi për automjetet të lëshuara nga shtetet e huaja, në rastet kur ata shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…

32 minuta ago
  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

5 orë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

16 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

19 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

20 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

1 ditë ago