Ish-shefi i Departamentit të Katërt të Drejtorisë së Policisë Kriminale, Sllobodan Milenkoviq dhe ish-shefi i Operacioneve, Dushan Mitiq janë nën presion të madh që kur kanë zbuluar plantacionin e marijuanës në fermën “Jovanjica”
Nga kërcënimet për jetën e tyre, korruptimi, vëzhgimi dhe transferimi në një pozicion më të ulët në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), duket se me kalimin e kohës presionet për këta po forcohen.
Që nga zbulimi i plantacionit “Jovanjica” në Stara Pazova në vitin 2019 dhe më pas ndjekja penale ndaj pronarit Predrag Koluvija dhe të pandehurve të tjerë, rrethana krejt të pabesueshme kanë vazhduar të ndjekin këtë rast. Tashmë në fund të nëntorit 2019, emri i inspektorit Milenkoviq filloi të dilte në pah pasi u bë e ditur se ai e zbuloi këtë skandal.
Në janar të vitit 2020, në rrjetet sociale u përhap një lajm se Milenkoviq ishte arrestuar, gjë që shpejt u mohua. Mirëpo, në ato ditë, ai e gjeti veten duke iu nënshtruar një testi me poligraf për një rast tjetër dhe duke pasur parasysh se hetimi për “Jovanjican” ishte në sy të publikut, u krijua përshtypja se ekzaminuesi i poligrafit do t’i bënte pyetje lidhur me këtë rast.
Ato ditë në opinion doli një histori, e bazuar në pretendimin e Koluvijas, se ai ishte arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe se, siç pretendonte ai vetë, ishte rrëmbyer nga Milenkoviq dhe kolegët e tij. Drejtori i atëhershëm i policisë Vladimir Rebiq i kishte mohuar kategorikisht këto pretendime, duke thënë se nuk kishte asgjë të kundërligjshme në veprimet e tyre zyrtare. Në të njëjtën kohë janë marrë informacione se inspektorët Milenkoviq dhe Dushan Mitiq janë duke u bartur në një pozitë më të ulët në MPB, e cila do të bëhet pas tre vitesh, raporton Telegrafi
Kurse ish-sekretarja në MPB, Dijana Hrkaloviq, e cila po ndiqet penalisht për shpërdorim detyre, ka folur për Milenkoviqin në një studio televizive serbe. Në atë kohë, Hrkaloviq ndër të tjera kishte thënë se ai ishte i lidhur me tregtinë e narkotikëve, prandaj më vonë Milenkoviq u ftua në një intervistë informative në Prokurori
Hrkaloviq e vazhdoi fushatën e saj kundër inspektorit Milenkoviq edhe pas paraqitjes së tij në Prokurori dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke pasur parasysh se ajo nuk ngurron ta përmendë atë gjatë paraqitjeve të ftuara në medie. Në një sërë tekstesh kundër Milenkoviqit, mediet e ndryshme pro-regjimit e lidhën atë me Darko Shariqin, e akuzuan si kriminel, bashkëpunëtor me grupe kriminale e akuza të ngjashme.
Avokati Zdenko Tomanoviq, i cili përfaqëson inspektorin e Policisë Kriminale, ka bërë të ditur publikisht se kanë informacione që thonë se Milenkoviqit i rrezikohet siguria dhe se po përgatitet likuidimi i tij. Tomanoviq ka treguar se vrasja e tij është përgatitur nga shërbimet serbe të sigurisë, me qëllim që ta paraqesin atë si krim mafioz, për të cilin janë informuar autoritetet.
Milenkoviq nën vëzhgimin e BIA-s
Në nëntor të vitit 2022, Milenkoviq, me ndihmën e kolegëve të tij që e ruanin vazhdimisht, vërejti se po ndiqej nga individë me përcjelljen e disa automjeteve.
“Milenkoviq ka reaguar shpejt dhe profesionalisht, përkohësisht ia ka kufizuar lëvizjen një personi dhe duke e mbajtur në pozitë të sigurt, përmes kontrollit ka konstatuar se është pjesëtar Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA). Milenkoviq nuk e çarmatosi anëtarin e BIA-s, por menjëherë njoftoi autoritetet për personin dhe automjetet në të cilat ishin përfshirë dhe e liroi anëtarin e BIA-s”, kishte njoftuar në atë kohë media serbe NIN.
Në deklaratën e tij, avokati Tomanoviq e vlerësoi largimin e Milenkoviqit dhe Mitiqit si hakmarrje ndaj policëve dhe presion ndaj dëshmisë në gjyqin “Jovanica”.
“Largimi i inspektorit është gjithashtu një mesazh se ata që nuk pranojnë gënjeshtrat e qendrave të pushtetit humbasin sigurinë e tyre profesionale dhe personale dhe marrin akuza publike, ofendime, diskreditime, ngacmime parlamentare dhe në medie. Është një matricë dhe një model sjelljeje që rrezikon të gjithë sistemin shoqëror dhe juridik”, thuhet në reagimin e Tomanoviqit.
Arrestimi i zyrtarëve të MPB-së
Ndërkohë që po vijonte gjuetia për anëtarët dhe drejtuesit e departamentit të përmendur, ka ndodhur edhe një arrestim. Konkretisht, zyrtarët e MPB-së, Milan Isakov dhe kolegu i tij Millosh Knezheviq u arrestuan në tetor të vitit 2022 nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Aktakuza në këtë procedurë nuk u ngrit deri në momentin kur Isakov dëshmoi në procedurën për skandalin “Jovanica”. Pak orë më vonë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se aktakuza kundër tyre ishte dorëzuar në gjykatë.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se Isakov, Milosh K. dhe Millosh V. më 28 shtator 2022, rreth orës 23:00, sipas marrëveshjes së mëparshme ndërmjet Milan I. dhe të dëmtuarit B. H., kanë vozitur veturën zyrtare të Departamenti i Katërt në qytetin e Beogradit dhe u takua me të lënduarit B. H. dhe M. M. në rrugën që të dërgon në Vishnjiçka, kështu që B. H. i dorëzoi Milan Isakovit tre nargjile që ia kishin marrë me qira.
Të pandehurit, në kundërshtim me Ligjin për Policinë, më pas i kanë ndaluar viktimat duke thirrur “Policia, vendos duart para, më jep letërnjoftimet”.
Më pas ata i kanë identifikuar, duke ia vënë prangat dhe rrahur.
Në fillim të muajit, Milenkoviq i njoftoi autoritetet për herë të dytë se ai dhe kolegu i tij Mitiq ishin duke u likuiduar. Gjithçka ndodh pak ditë pas transferimit të tij në Ministrinë e Brendshme, nga detyra e shefit të Departamentit të Luftës Kundër Drogës në pozicionin e koordinatorit dhe për këtë arsye ai ka kërkuar mbrojtje fizike.
Siç u njoftua, Milenkoviq ka marrë informacion se një klan droge ka pranuar ta likuidojë dhe ka bashkangjitur foto të një personi duke filmuar objekte të caktuara që janë të përshtatshme për likuidim.
E përjavshmja serbe NIN publikoi detajet e një shënimi zyrtar të Milenkoviqit se si në vitin 2022 atij iu ofruan 100 mijë euro dhe një pozicion më i mirë në MPB për të akuzuar ish-ministrin e Policisë, Nebojsha Stefanoviq për gjithçka që lidhet me “Jovanjican”. Kështu u ka ofruar avokati i Koluvias, Vladimir Gjukanoviq dhe pronari i tabloidit “Objektiv”, Goran Papiq në emër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas dokumentit zyrtar, Papiq u përpoq të fliste me inspektorin Milenkoviq, por ai refuzoi bisedën me të dhe ofertën dhe më sa duket raportoi gjithçka.