Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në Qafë Koshovicë, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit.
26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, u gjend rastësisht pranë vendit të ngjarjes. Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim.
Pa menduar dy herë, Klajdi u hodh në veprim. Ai nxitoi drejt automjetit, i ndihmoi të plagosurit të dilnin dhe, kur pa se koha ishte e pakët, mori në krahë një prej tyre dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal derisa të gjithë u nxorën nga rreziku.
Në një kohë kur shpesh flitet për kritika ndaj sistemit, është e rëndësishme të nxjerrim në pah figurat e ndritura, si Klajdi Mustaj, që me guximin dhe humanizmin e tij dëshmoi se heronjtë nuk janë vetëm në filma – ata ecin mes nesh, të gatshëm të sakrifikojnë për jetën e tjetrit.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi aktin heroik të policit të ri me anë të një postimi në Facebook.
Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Proda, i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara!