Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton KOHA.
Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Serbisë, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.
KOHA mëson se në kuadër të Policisë së Kosovës, ka policë shqiptarë e serbë që po patrullojnë në Mitrovicën e Veriut.
Mitrovica Veriore dhe Zveçani në karantinë
Mbrëmë dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.
Këtë e ka konfirmuar dje kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke bërë të ditur hyrjen në fuqi të vendimit në orën 18:00.
Nga komunat serbe në Kosovë, 17 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, derisa është shënuar edhe një viktimë nga komuna e Leposaviqit.
KOHA ka dërguar pyetje te Ministria e Brendshme lidhur me këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.