Policia e Kosovës, ka gjetur sërish disa armë në Veri të Kosovës, pas bastisjes që është kryer në dy lokacione.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
“Po, kemi gjetur disa armë në Veri”, ka thënë shkurtimisht Elshani për AP.
Ndërsa shtoi se “shumë shpejt do të dalin me informacione shtesë në lidhje me këtë ngjarje”.
Edhe më 13 qershor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë një armë të gjatë, mjete eksplozive, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike.
“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në ç’rrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë. Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut”, deklaroi ministri Sveçla.
Prej sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit – një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit, ku një grup prej dhjetra paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës, autoritetet kosovare kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar.