Deputeti i AAK-së, Haxhi Shala, të premten, është intervistuar nga Policia e Kosovës. Kjo për shkak të dyshimit se Shala ka kërcënuar me jetë drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, raporton Gazeta Express
Deputetit Haxhi Shala duket se i ka dalë punë me drejtorin e Urbanizmit në komunën e Malishevës, Ahmet Morina.
Shala po dyshohet se ka kërcënuar me jetë Morinën, për shkak të një vendimi në kuadër të detyrës së tij zyrtare.
Se është kërcënuar, e ka konfirmuar edhe vetë Morina në një prononcim për Express.
“Është e vërtetë që kam pasur një kërcënim, kam njoftuar organet e rendit dhe ata po merren me këtë rast. Tani jam në vend të punës”, ka thënë Morina.
Morina deklaroi se kërcënimi ndaj tij ka ardhur për shkak të një vendimi që është marrë nga ai, rreth pëlqimit për një firmë e cila operon në territorin e Malishevës.
“Ka pasur një pëlqim nga Drejtoria për një operator që operon në territorin e Malishevës. Pas peticionit të qytetarëve dhe vendimit nga asambleja komunale, jam detyruar ta zbatoj vendimin e Kuvendit komunal dhe pëlqimin nga drejtori paraprak, e kam anuluar në bazë të vendimit të Kuvendit. Ky vendim ka pasur të bëjë me pezullimin e veprimtarive të gurëthyesëve. Kemi kërkuar tërheqjen e pëlqimit të lëshuar nga drejtoria jonë, me vendim të Kuvendit komunal dhe peticionit të qytetarëve. Direkt për këtë pjesë jam kërcënuar”, ka deklaruar Morina.
Ndërkohë, Express mëson se policia ka bërë vlerësimin e rrezikut për viktimën, dhe bazuar në këtë vlerësim, Morinës po i ofrohet mbrojtje nga policia, gjë të cilën e ka pranuar edhe vetë drejtori.
I pyetur nga Gazeta Express lidhur me rastin, Shala e ka mohuar, duke e quajtur shpifje.
Megjithatë, ai e ka konfirmuar se është intervistuar nga Policia e Kosovës.
“Shpifjet nuk i komentoj, s’është e vërtetë kjo. Në Parlament kam qenë kur më kanë thirrë, kam shku, jam intervistu, janë shpifje, drejtësia do ta hetojë, është shpifje qind për qind”, ka thënë Shala.
Megjithatë, drejtori i Urbanizmit ka deklaruar në polici se Shala e ka kërcënuar me jetë.
Krejt këtë, për Express e ka konfirmuar Policia e Gjakovës.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, tha se rasti ka ndodhur pasditen e së premtes.
“Më datë 07.08.2020 në orët e pasdites Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar për një rast kanosje. Viktima është ftuar për intervistim dhe pas marrjes së deklaratës, për shkak të ndjeshmërisë rasti është transferuar në Sektorin e Hetimeve Rajonale në Gjakovë. Sipas viktimës, i njëjti është kërcënuar me jetë për shkak të një vendimi në kuadër të detyrës së tij zyrtare. Një i dyshuar dhe dëshmitarët janë ftuar për intervistim dhe me urdhër të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Graishta për Express.
Graishta bëri të ditur se policia është duke hetuar për të parë nëse ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
“Hetimet dhe veprimet policore për identifikim edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, po vazhdojnë ende, ndërkohë që policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në fazën fillestare të hetimit”, deklaroi Graishta.