Të tronditur janë parë banorët e fshatit Ponoshec të Gjakovës, pasi bashkëfshatari i tyre, Flamur Rexhaj, dyshohet se në Gjermani vrau dy fëmijët, plagosi bashkëshorten e vrau veten.
E gjithë familja e ngushtë është në Gjermani, ndërsa në shtëpinë e tyre në Kosovë nuk ka pasur shenjë se familja po pret për ngushëllime.
Te të afërmit e tyre shprehin dhimbje e mërzi. Teksa kanë refuzuar të flasin para kamerave, bashkëfshatarët kanë deklaruar se s’kanë asnjë informatë më shumë se ajo që kanë lexuar në mediat gjermane.
Fqinji Isak Rexhaj ka thënë se familja që përjetoi tragjedinë ka pasur raporte shumë të mira dhe ka pasur harmoni mes tyre.
Të tjerët, të shokuar, kanë refuzuar të flasin për tragjedinë.
Një i afërm i viktimave ka thënë se para një muaj e gjysmë, kjo familje kishte qenë në Kosovë. Ai i ka kujtuar si familjarë të mirë.