Autoritetet serbe anuluan urdhrin e dëbimit për shtetasen ruse Jelena Koposova, e cila nënshkroi një letër të hapur duke dënuar pushtimin rus pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, njoftoi të premten Shoqëria Demokratike Ruse në Serbi.
Mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet për autoritetet që ta lejojnë atë të qëndrojë në vend.
Policia njoftoi Koposovën se autoritetet e pranuan ankesën e saj dhe se ajo mund të qëndrojë në Serbi, ku jeton me familjen që nga viti 2019.
“Anulimi i vendimit të Jelenës për dëbimin është një fitore e madhe për të gjithë ne”, tha Shoqëria Demokratike Ruse.
“Ne jemi të kënaqur që shteti serb po korrigjon gabimet e veta, por jemi të bindur se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetje aktive dhe të ngrohtë (publike), tha grupi pro-demokratik.
Në fillim të shkurtit, përkthyesja 54-vjeçare u informua nga autoritetet se duhet të largohej nga vendi brenda 30 ditëve pasi kërkesa e saj për qëndrim të përhershëm u refuzua pa ndonjë arsye të veçantë.
Në një intervistë të fundit me agjencinë AP, Koposova deklaroi se arsyeja e vetme për refuzimin e kërkesës dhe urdhrin pasues për t’u larguar nga vendi ishte me sa duket nënshkrimi i saj në një letër të hapur të marsit 2022, në të cilën ajo kritikonte luftën në Ukrainë.
Autoritetet serbe ende nuk janë komentuar lidhur me këtë rast.
Në vitet e fundit, dhjetëra mijëra rusë janë shpërngulur në Serbi për t’i shpëtuar regjimit të Presidentit Vladimir Putin, sanksionet perëndimore ose për të shmangur detyrimin për t’u bashkuar me ushtrinë.
Serbia mban marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër saj. Në të njëjtën kohë, po bëhen përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Serbia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2012.