Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov tha të dielën se trupat e tij kishin marrë kontrollin e pjesës më të madhe të qytetit lindor të Ukrainës, Popasna, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se beteja për këtë qytet ishte ende duke vazhduar.
Në mesin e prillit, forcat ruse nisën një ofensivë të re përgjatë pjesës më të madhe të krahut lindor të Ukrainës dhe disa nga sulmet dhe granatimet më intensive së fundmi ndodhën rreth Popasna-s në rajonin e Luhanskut.
“Luftëtarët e forcave speciale çeçene kanë vënë nën kontroll pjesën më të madhe të Popasna-s”, shkruante Kadyrov, i cili shpesh e përshkruan veten si “ushtar këmbësor” i presidentit Vladimir Putin.
“Rrugët kryesore dhe pjesët qendrore të qytetit janë pastruar plotësisht”, ka shkruar ai në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Por Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportin.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Ukraina, por të shtunën mbrëma, një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, Alexei Arestovich, tha se luftimet e ashpra për qytetin po vazhdonin.
“Beteja për Popasna-sin është duke u zhvilluar. Propagandistët rusë kanë raportuar me kënaqësi se e kanë marrë tashmë, por nuk është kështu. Ky është, vetëm këtë javë, pretendimi i tyre i 117-të për ‘kapjen e Popasna-s,” tha Arestovich.
Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Gaidai tha të shtunën se forcat ukrainase ende kontrollojnë zonën. “Situata është shumë e vështirë, por nën kontroll,” tha Gaidai.