Profesori zbulon planet e Ramës dhe të Vuçiqit për Kosovën, ja cilat janë ato

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar takimi i tretë i “Mini-Shengenit Ballkanik” në Tiranë ku morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama si nikoqir, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe për herë të parë iu bashkua edhe presidenti malazez Milo Gjukanoviq.

Rama konferencën për media e hapi duke i falënderuar këto vende për ndihmën e dhënë në fatkeqësinë e tërmetit që goditi Shqipërinë.

Por ai mungesën e Kosovës në këtë takim po e shoh si të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për vendin.

Këtë ide e ka kundërshtuar edhe Profesori dhe analisti politik, Enver Bytyçi, i cili thotë që iniciativën se kush e ka filluar ende nuk është zbuluar pasiqë përveç Zaevit, të dy nismëtarit tjerë kanë deklaruar që ata e kanë filluar.

Ndër te tjera, Profesori, nuk la pa përmendur edhe rrezikun që i kanoset Kosovës duke shkruar që së pari do të kërkohet të largohet taksa pastaj të fillohet hapi tjetër për ndarjen e Kosovës.

“Mbledhja e sotme në Tiranë ishte e treta në radhën e takimeve midis Aleksandër Vuçiq, Edi Ramës dhe Zoran Zaevit në kuadër të iniciativës së minishenhenit ballkanik. Rama thotë se ishte ide e tij. Vuçiq në Novi Sad gjatë tetorit tha të njëjtën gjë. Vetëm Zaev nuk ka kërkuar autorësi. Vuçiq dhe Rama nuk e kanë zgjidhur ende autorësinë e idesë. Unë jam i bindur se autor i vërtetë i minishengenit është presidenti i Serbisë, sepse atij ia kanë rekomanduar miqtë e tij në Moskë. Rama kërkon autorësi për propagandë, për të thënë se “ai është për punë të mëdha”! Por në përfundim të mbledhjes së sotme morëm vesh se kinezët që kanë të drejtë të vijnë në Beograd, mund të vijnë pa vizë edhe në Tiranë. Askush nuk tha se do të ketë policë e kontroll në kufij, apo jo?! Se do të ketë ndalesa ose jo! Në Ballkan nuk është problem qarkullimi pa viza e me karta identiteti, problem janë kufijtë, doganat. Këto nuk u përmendën sot. Thjesht u tha se kinezët do shtohen si turistë. Në samitin e sotëm erdhi dhe presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviç”.

“Mesa kuptova ai erdhi këtu për të dhënë thjesht një mesazh: – Minishengeni ballkanik nuk guxon të zëvendësojë integrimin evropian. Me këtë rast shkoi në shenjë solidariteti në Durrësin e tërmetit. Por Gjukanoviç nuk u bë pjesë zyrtare e minishengenit. Mbetën tre nismëtarët. Ramës dhe Zaevit u duhet kjo iniciativë, me qëllim që të largojnë vëmendjen dhe shqetësimin e opinionit publik të brendshëm për dështimin e të dy qeverive për hapjen e negociatave me BE-në. Vuçiqit i duhet kjo nismë për të garantuar që Rusia përmes kufijve të hapur të ketë mundësi të shtrijë influencën e vet ne rajonn ballkanik, për ta shndërruar Beogradin me ndihmën e Rusisë dhe të Francës si kryeqytet të Ballkanit, për ta bërë Serbinë lidere të rajonit. Vuçiq ka interes jetik me këtë mbledhje dhe iniciativë sa i përket përpjekjeve të tij për izolimin e Kosovës. Ai llogarit që, nëse Kosova bëhet pjesë e minishengenit të ketë mundësi që të rikthejë në bisedime idenë e ndarjes së saj”.

“Edhe Edi Rama, edhe Aleksandër Vuçiq synojnë që të realizojnë një rajon pa kufij të qartë. Kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën. Sepse do të thuhet se “Kufiri dhe territori nuk kanë rëndësi në kushtet e integrimit rajonal, prandaj me lehtësi edhe mund të ndryshohen ato”! Si fillim kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë synojnë të heqin taksën që Haradinaj ka vendosë për mallrat serbe. Heqja e taksës është një betejë speciale midis Ramush Haradinajt nga njëra anë dhe Ramës e Vuçiçit nga ana tjetër. Heqja e saj është hapi i parë i një aventure të dytë të projektit të ndarjes së Kosovës. Ata që sulmojnë Haradinajn për taksën, ata janë njerëz që ia kanë falë shpirtin djallit. Duhet t’ia japim Haradinajt atë meritë që e ka”.

“Minishengeni është bërë sot më shumë se kurrë mollë sherri midis Edi Ramës dhe udhëheqësve të Kosovës. Rama e etiketoi Haradinajt si gënjeshtar e të paditur, pasi vitin e kaluar e quajti në Pejë “gomar”! Fatkeqësisht lexova se analistë në Kosovë e mbështesin këtë diskurs donkishotesk! Rama e quajti Thaçin hipokrit. Ndoshta Hashimi i kishte premtuar të shkonte në Samit, ndërkohë që bëri të kundërtën. E konsideroi gjithashtu Albinin neo-marksist! Por mbrojtja që Albini i bën Kosovës nuk ka të bëjë me neomarksizmin! Është hera e parë në historinë e Kosovës së re kur një kryeministër i Shqipërisë ka konflikt të ashpër me liderët politikë në Kosovë. Dhe e gjitha më ngjan si hakmarrje dhe urrejtje e Edi Ramës ndaj tyre në emër të Serbisë e për interesat e saj”.

“Gjatë gati 7 viteve në qeverisje asnjëherë nuk ka ndodh që ai t’i bëjë një kritikë publike vëllait të tij, Aleksandër Vuçiq, ndërkohë që fyen dhe shan për turp vëllezërit e tij në Kosovë. Është një sjellje e paprecedentë kjo, në vend që ai të kërkojë që presidenti serb jo vetëm të njohë krimet e tij në Kosovë, por ta njohë me çdo kusht pavarësinë dhe shtetësinë e saj, si kusht për iniciativa rajonale. Sot gjatë akuzave ndaj Prishtinës kreu i ekzekutivit të Tiranës është betuar se Kosova kishte ftesë dhe se nuk ka asnjë hile ndaj saj. Po hileja e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë si konflikt i pazgjidhur për faj të Beogradit, pak i duket?! Kosova mund të kishte ftesë, por kur nisi iniciativa e minishengenit askush nga Tirana nuk pati asnjë konsultim me institucionet e Prishtinës. Dhe nga ana tjetër po sot Edi Rama thoshte se “Ne mbështesim çdo qëndrim të Prishtinës për bisedimet me Serbinë”! Çfarë mbështetje jep kryeministri i Kosovës, kur ai mban mëri me homologun e tij kosovar dhe e konsideron atë gënjeshtar. Por mund të them me plot gojën se për gënjeshtar dhe mashtrues është i njohur dhe mirënjohur vetëm Edi Rama dhe jo edhe Ramush Haradinaj”, përfundoi, Bytyçi.