Ministria e Inteligjencës e Izraelit ka hartuar një koncept-dokument të kohës së luftës për transferimin e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës në gadishullin Sinai të Egjiptit, duke përkeqësuar tensionet me Kajron.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë raportin e përpiluar nga Ministria e Inteligjencës. Por konkluzionet e tij kthyen frikën e kahershme egjiptiane se Izraeli dëshiron ta kthejë Gazën në problem të Egjiptit dhe kanë ringjallur për palestinezët traumën e tyre më të madhe – çrrënjosjen e qindra mijëra njerëzve që u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftimeve të vitit 1948.
“Ne jemi kundër transferimit në çfarëdo vendi, në çfarëdo forme dhe e konsiderojmë një vijë të kuqe që nuk do të lejojmë të kalohet”, ka thënë për raportin Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmud Abbas. “Ajo që ndodhi në vitin 1948 nuk do të lejohet të ndodhë më”.
Një zhvendosje masive, sipas Rudeinehit, do të ishte “e barabartë me shpalljen e luftës së re”.
Deri tani më shumë se 8 mijë palestinezë, shumica dërrmuese e tyre civilë, janë vrarë qëkur Izraeli hyri në luftë kundër Hamasit pas sulmit të tij të 7 tetorit. Dokumenti mban datën 13 tetor, gjashtë ditë pasi militantët e Hamasit vranë më shumë se 1.400 njerëz në jug të Izraelit dhe morën mbi 240 pengje. Dokumenti u publikua fillimisht nga “Sicha Mekomit”, një uebfaqe lokale.
Në raportin e saj, Ministria e Inteligjencës – një ministri e vogël që kryen kërkime, por nuk përcakton politika – ofroi tri alternativa “për të realizuar një ndryshim të rëndësishëm në realitetin civil në Rripin e Gazës”.
Autorët e dokumentit e konsiderojnë këtë alternativë si më të mirën për sigurinë e Izraelit.
Dokumenti propozon zhvendosjen e popullsisë civile nga Gaza në qytetet me tenda në Sinain verior, pastaj ndërtimin e qyteteve të përhershme dhe një korridor të papërcaktuar humanitar. Brenda Izraelit do të krijohej një zonë sigurie për të bllokuar hyrjen e palestinezëve të zhvendosur. Në raport nuk thuhej se çfarë do të bëhej me Gazën pasi popullsia e saj të largohet.
Ministria e Jashtme e Egjiptit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi raportimin. Por Egjipti e ka bërë të qartë gjatë kësaj lufte të fundit se nuk dëshiron të pranojë valë refugjatësh palestinezë.
Egjipti ka kohë që frikësohet nëse Izraeli dëshiron dëbimin e përhershëm të palestinezëve në territorin e tij, siç ndodhi gjatë luftës rreth pavarësisë së Izraelit. Egjipti sundoi Gazën midis viteve 1948 dhe 1967, kur Izraeli pushtoi territorin, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor. Shumica dërrmuese e popullsisë së Gazës janë pasardhës të refugjatëve palestinezë të çrrënjosur nga ajo që tani njihet si Izrael.
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sissi, ka thënë se një fluks masiv i refugjatëve nga Gaza do të eliminonte kauzën nacionaliste palestineze. Do të rrezikonte gjithashtu sjelljen e militantëve në Sinai, ku ata mund të nisnin sulme ndaj Izraelit, ka shtuar ai. Kjo do të rrezikonte traktatin e paqes të vitit 1979. Ai propozoi që Izraeli të strehojë palestinezët në shkretëtirën Negev, afër Rripit të Gazës, derisa Izraeli të përfundojë operacionet ushtarake.
Yoel Guzansky, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel-Aviv, ka thënë se dokumenti kërcënonte të dëmtonte marrëdhëniet me një partner kyç.
“Nëse ky dokument është i vërtetë, ky është një gabim i rëndë. Mund të shkaktojë përçarje strategjike midis Izraelit dhe Egjiptit”, ka thënë Guzansky. “Unë e shoh ose si injorancë, ose si dikush që dëshiron të ndikojë negativisht në marrëdhëniet Izrael-Egjipt, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë fazë”.
Egjipti është një partner i vlefshëm që bashkëpunon në prapaskenë me Izraelin, ka shtuar ai.
Egjipti nuk do të ishte domosdoshmërisht ndalesa e fundit e refugjatëve palestinezë. Dokumenti flet për Egjiptin, Turqinë, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që mbështesin planin ose financiarisht, ose duke pranuar banorët e çrrënjosur të Gazës si refugjatë dhe në planin afatgjatë si qytetarë. Praktikat “e buta” të imigracionit të Kanadasë e bëjnë atë gjithashtu një objektiv të mundshëm risistemimi, ka shtuar dokumenti.
Në pamje të parë, ky propozim “mund të jetë i ndërlikuar për sa i përket legjitimitetit ndërkombëtar”, pranon dokumenti. “Në vlerësimin tonë, luftimet pas evakuimit të popullsisë do të çonin në më pak viktima civile në krahasim me atë që mund të pritet nëse popullsia do të mbeste”.
Dokumenti hedh poshtë dy opsionet e tjera: rivendosjen e Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor si sovran në Gaza, ose mbështetjen e një regjimi lokal. Ndër arsyet e tjera, dokumenti i cilëson si të paafta për të penguar sulmet ndaj Izraelit.
Rivendosja e Autoritetit Palestinez, i cili u dëbua nga Gaza pas një lufte njëjavore të vitit 2007 e që vendosi Hamasin në pushtet, do të ishte “një fitore e paprecedentë e lëvizjes kombëtare palestineze, një fitore që do të marrë jetën e mijëra civilëve dhe ushtarëve izraelitë dhe nuk mbron sigurinë e Izraelit”, thuhet në dokument.