Protestë për hapjen e xhamive, falet në shesh namazi

Kanë filluar të mblidhen në shesh të Prishtinës, disa persona, që kanë dalë për të falur namaz në publik, në shenjë proteste për mos hapje të xhamive.

Kjo është bërë e ditur paraprakisht me anë të një grupi të hapur në Facebook me emrin “Falu n’shesh”.

Në njoftimin e tyre shkruan se në shenjë pakënaqësie për mos hapjen e dyerve të xhamive edhe pas fillimit të fazës së dytë të masave lehtësuese nga qeveria, këta qytetarë i janë drejtuar organeve gjegjëse për hapjen e xhamive dhe kryerjen e namazit me disa kushtëzime konform situatës epidemiologjike.

“Si përpilues të kërkesës kemi organizuar një event nga ora 16:30 – 17:30, ku në mënyrë të organizuar do të falim namazin e ikindisë në sheshin “Skënderbeu” dhe në mënyrë demonstrative do të tregojmë mundësinë e kryerjes së namazit pa e rrezikuar fare shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

Për këtë temë ka shkruar edhe u.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që tha se ka marrë informacione që thonë se pas këtij organizimi qëndron profesori universitar Milazim Krasniqi.

Krasniqi ka reaguar pas deklaratës së Sveçlës, duke thënë se ajo çka ka pohuar ai është gënjeshtër.