Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pushimet verore nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën. Ministria e Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë përgatitur një draft protokoll për masat anticovid-19 dhe që duhet të ndiqen përgjatë sezonit turistik dhe që do të aplikohen në momentin që do të hiqen masat kufizuese nga qeveria; të cilat do të jenë të afishuara te bizneset minimalisht në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
Dokumenti i ka mbërritur bizneseve për diskutim dhe konsultim. Sipërmarrësve turistikë do t’u shtohet në staf një person përgjegjës si Koordinator anti-Covid19, që do të hartojë një rregullore të brendshme me detyra konkrete higjienizuese për stafin, ndërsa të gjithë do të punojnë me pajisje mbrojtëse maska dhe doreza.
Pushuesve në hyrje të ambjenteve të strukturave akomoduese do t’u matet temperature, e nëse ajo rezulton e lartë lajmërohet kordinatori anticovid e më pas personeli mjekësor. Gjithashtu ata do të duhet të plotësojnë një formular ku të vetëdeklarojnë nëse kanë simptoma të koronavirusit, nëse kanë pasur kontakte me pacientë të infektuar apo kanë qenë në vende të prekura me CoVid-19 për 14 ditët e fundit. Por para pritjes së vizitorëve, mjediset duhet të jenë dezinfektuar thellësisht.
Si dhe maskat, dorezat dhe dezinfektuesit duhet të jenë në dispozicion për vizitorët sa herë që i kërkojnë ata, ndoshta edhe kundrejt një tarife, thuhet në draftprotokollin e siguruar nga Top Channel.
Rregullat do të ndryshojnë e për shërbimin në bare dhe restorante. Vendosja e tavolinave në bare dhe restorante do të behet duke respektuar një maksimum prej 4 personash për çdo 10 metra katrorë e vetë klientët përballë njëri tjetrit do të jenë në një distancë prej të paktën 1 m. Vetëshërbimi nuk do të lejohet më, por personeli i pajisur me maska dhe doreza do të jetë në shërbim të tyre I vendosur mbrapa banakut ku ndodhet ushqimi.
Gjithashtu makinetat automatike të lëngjeve nuk do të lejohet të përdoren nga klientët. Do të ndalohet hapja e këndeve për fëmijë në strukturat e brendshme të strukturave akomoduese. Edhe zona e pishinës duhet të dezinfektohet e shezllonet duhet të jenë në grup dyshe në distancë të paktën 2 metra larg nga një grup te tjetri. Bizneset turistike duhet të kenë një logo ‘strukturë e kontrolluar’, pasi të kenë përmbushur kushtet e higjienës dhe inventarin me pajisjet mbrojtëse si maskat, veshjet e mbulesat e këpucëve njëpërdorimshe apo solucionet më përmbajtje alkooli, në të kundërt nuk do të ushtrojnë aktivitetin. Deri në përfundim të pandemisë së koronavirusit, pushuesit do të ruajnë distancën prej 3 metrash nga njëri tjetri edhe gjatë notimit.
Ndërsa hapësira midis çadrave nuk duhet të jetë më e vogël se 4 metra, ashtu siç Top Channel ka bërë më parë me dije, e çadrat nga vija e bregut duhet të jenë të paktën 10 metra larg. Vrojtuesit të plazhit do ti shtohet detyra e monitorimit të respektimit të distancës . Në rast se masat nuk do të zbatohen, stacionet e plazhit do të mbyllen, parashikon draftprotokolli anticovid.