Pse njerëzit nuk e kujtojnë periudhën kur ishin foshnje?

Një studim i ri ka shpjeguar se si pjesa e trurit që quhet hipokampusi i kodon përvojat e para të jetës.

Kujtimet e hershme mund të ruhen në tru, por me kalimin e kohës bëhen të paarritshme, ka raportuar The Brighter Side.

Studimi i ri nga Universiteti Yale ka sfiduar idenë se kujtimet e hershme nuk ekzistojnë. Studiuesit kanë sugjeruar se truri i foshnjave i kodon përvojat, por këto kujtime bëhen të paarritshme ndërsa truri zhvillohet. Gjetjet e këtij studimi mund të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si funksionon rikthimi i kujtimeve më vonë në jetë.

Ani pse foshnjat mësojnë shpejt në vitet e para të jetës, shumica e njerëzve nuk kanë kujtime nga periudha përpara moshës trevjeçare. Ky fenomen, i njohur si amnezia infantile, ka nxitur debatin mes studiuesve: a nuk arrijnë foshnjat të formojnë kujtime apo thjesht i harrojnë ato?

Si i kodon truri i foshnjave kujtimet?

Hipokampusi, një strukturë e vogël, luan rol të rëndësishëm në formimin dhe rikthimin e kujtimeve episodike, ato të lidhura me ngjarje, vende dhe njerëz specifikë. Te të rriturit, dëmtimi i hipokampusit shkakton humbje të kujtimeve personale. Për shumë kohë, shkencëtarët kanë debatuar nëse hipokampusi i foshnjave është i zhvilluar mjaftueshëm për të koduar kujtime të tilla.

Teoritë e mëparshme kanë sugjeruar se hipokampusi i foshnjave ishte shumë i papjekur për të ruajtur kujtimet episodike. Por studime të fundit kanë treguar se foshnjat mund të kujtojnë ngjarje specifike për ditë, javë apo muaj, duke sfiduar idenë se truri i tyre nuk mund të ruajë kujtime.

Në studimin e fundit, të publikuar në revistën Science, studiuesit kanë përdoruar rezonancë magnetike funksionale (fMRI) për të matur aktivitetin e trurit të foshnjave nga mosha katër deri në 25 muaj, ndërsa ata shikonin imazhe të fytyrave, objekteve dhe skenave. Duke analizuar se sa gjatë foshnjat shikonin imazhe të njohura në krahasim me të reja, shkencëtarët kanë përcaktuar nëse një kujtim ishte koduar.

Pse kujtimet e hershme zhduken?

Nëse foshnjat mund t’i kodojnë kujtimet, pse nuk i mbajnë mend? Studiuesit kanë thënë se besojnë që kjo lidhet me mënyrën se si kujtimet ruhen dhe rikthehen me kalimin e kohës.

Sipas tyre, një mundësi është që kujtimet e hershme të mos kalojnë në ruajtjen afatgjatë, duke u zhdukur përpara se të forcohen. Një tjetër shpjegim është se këto kujtime mbeten në tru, por bëhen të paarritshme ndërsa truri zhvillohet.

“Tipari kryesor i këtyre kujtimeve episodike është se mund t’i përshkruash te të tjerët, por kjo është e pamundur te foshnjat para se të fillojnë të flasin”, ka thënë studiuesi Nick Turk-Browne, i cili është profesor i psikologjisë në Yale.

Studime të kafshëve kanë treguar se kujtimet e formuara në foshnjëri lënë gjurmë të qëndrueshme qelizore, të njohura si gjurmë të kujtesës, në hipokampus. Në raste të caktuara, rikthimi i kujtimeve mund të restaurohet përmes stimujve specifikë ose stimulimit direkt të këtyre gjurmëve.

Një faktor tjetër është neurogjenza e shpejtë, rritja e shpejtë e qelizave nervore në foshnjëri.
Sipas studiuesve, ndërsa neuronet e reja integrohen në hipokampus, ato mund të prishin lidhjet ekzistuese të kujtimeve, duke e bërë të vështirë rikthimin e tyre.

Studiuesit e Yale po testojnë nëse foshnjat, fëmijët e vegjël dhe parashkollorët mund të kujtojnë përvoja nga periudha e harshme pas lindjes. Rezultatet paraprake kanë sugjeruar se disa nga këto kujtime mund të qëndrojnë në fëmijërinë e hershme, përpara se të bëhen të paarritshme.