Në veri të Kosovës pjesëtarë të KFOR-it kanë vazhduar patrullimin në pikat ku para disa ditësh u vendosën barrikadat. Pak metra larg pikës kufitare të Bërnjakut po kryhen punime në objektin ku do të vendosen pjesëtarë të Policisë Kufitare. Analistët në veri thonë se serbët më shumë u frikësohen veprimeve dhe kërcënimeve që vijnë nga Beogradi sesa institucioneve në Prishtinë.
Vendet ku serbët vendosën barrikadat para disa ditësh në Zubin-Potok po mbahen të mbikëqyrura nga njësi të KFOR-it.
Edhe pse janë prezantuar si patrulla të zakonshme, prania e mjeteve të blinduara të KFOR-it në këtë zonë është tregues i një situate të tensionuar.
Bashkë me KFOR-in e blinduar është edhe Policia e Kosovës.
Në afërsi të Bërnjakut, ku po fortifikohet stacioni i Policisë Kufitare, policia patrullon me autoblinda, mjete këto që po përdoren vetëm për këtë zonë.
Por atmosferë më e shtensionuar vërehet në qendër të veriut të Mitrovicës.
Sipas analistit serb, Branislav Kërstiq, serbët e veriut e dinë se nuk qëndrojnë deklarimet e presidentit të Serbisë për largimin e tyre nga Kosova.
“Serbët janë të bindur dhe e kanë të vërtetuar që askush nga Prishtina nuk e ka ndërmend t’i përzë. Nëse do të mund të mendonim se kush do të mund të ishte objektiv i institucioneve të Prishtinës në veri të Kosovës, atëherë patjetër që do të ishin grupet kriminale, liderët e Listës Serbe të cilët janë të kyçur direkt në këtë kriminalitet. Andaj në këtë kuptim qytetarët e thjeshtë janë të vetëdijshëm se nuk ekziston një kërcënim aq alarmant nga ana e Prishtinës, i cili synon që t’i përzë nga territori i Kosovës”, ka thënë Kërstiq.
Pak ditë para se të fillojë zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa dhe dokumente, zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, thotë se veriu është i qetë dhe pa tensione.
“Është një heshtje, definitivisht komunave veriore të Kosovës i duhet qetësi, paqe i duhet drejtësi shpresoj që këto janë shenja që do të vijë paqja të cilën 23 vite jemi të trazuar. Mitrovica është qytet mulitentik dhe të gjitha komunitet i kemi përjetuar të gjitha të mirat e të këqijat. Fatkeqësisht janë përjetuar shumë gjëra të këqija janë traumatizuar serbët po edhe të gjitha komunitet tjera. Dëshirojmë të gjithë të trajtohemi të barabartë, të jenë temat normale me të cilat ballafaqohet çdo qytetar. Kemi nevojë për shëndetësi më të mirë, shërbime komunale më të mira etj”, ka thënë Sadiku.
Por, shtyrja e afatit për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, sipas analistit Branislav Kërstiq, shqetëson serbët e veriut.
“Unë pres që do të jetë qetë. Serbët janë shumë të shqetësuar, jo por për atë se si do të veprojnë institucionet e Kosovës porse a do vijë te urdhri nga kabineti i Vuçiqit, nëse dikush do t’i urdhërojë të dalin në barrikada dhe bllokada”, ka shtuar tutje Kërstiq.
Më 1 gusht të këtij viti Qeveria shtyu për 30 ditë zbatimin e vendimit për targat e dokumentet e hyrje-daljeve, pas barrikadave dhe tensioneve të krijuara në pikat kufitare.