Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka quajtur aktivitetet e SHBA-ve dhe NATO-s në Detin e Zi një “sfidë serioze” për Rusinë, e cila ka pohuar të drejta shtesë detare në rajon që nga kapja e Krimesë nga Ukraina në 2014-ën.
Deklaratat e 13 nëntorit e Putinit ishin përpjekja e dytë e Kremlinit në më pak se 24 orë për të theksuar praninë ushtarake perëndimore në rajonin e Detit të Zi dhe për të akuzuar Uashingtonin për përshkallëzimin e tensioneve pasi raportet e mediave këtë javë pretenduan se zyrtarët amerikanë po paralajmëronin aleatët evropianë për rrezikun e një sulmi të mundshëm rus.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO po kryejnë stërvitje të paplanifikuara në Detin e Zi”, tha Rusia në kanalin televiziv shtetëror “Vesta”. “Jo vetëm që një grup detar mjaft i fuqishëm është i përfshirë në këto stërvitje, por edhe aviacioni, duke përfshirë aviacionin strategjik. Kjo është një sfidë serioze për ne”.
Ishte e paqartë se çfarë ushtrimesh i referohej, megjithëse NATO ka kryer stërvitje të mëdha në Detin e Zi në katër muajt e fundit apo më shumë.
Më shumë se 30 anije nga 32 vende – duke përfshirë anëtarët e NATO-s – morën pjesë në stërvitjet ushtarake në korrik të bashkëorganizuara nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara në Detin e Zi.
Zyrtarët amerikanë javën e kaluar ngritën zile alarmi mbi aktivitetet ruse pranë Ukrainës, ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollojnë pjesë të territorit në një konflikt të vazhdueshëm shtatëvjeçar.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi Rusinë që të mos bënte një tjetër “gabim serioz” në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni kërkonte informacion për një lëvizje të supozuar të trupave ruse pranë kufirit që Pentagoni e quajti “të pazakontë në madhësinë dhe shtrirjen e saj”.
Stërvitje ushtarake në Detin e Zi, Ukraina dhe NATO.
Zyrtarët e BE-së i përsëritën këto shqetësime më 12 nëntor dhe thanë se po monitoronin situatën së bashku me aleatët e tyre amerikanë dhe britanikë.
Franca artikuloi shqetësimet e saj dhe paralajmëroi Moskën se çdo veprim agresiv do të kishte “pasoja të rënda”.
Paralajmërimi erdhi gjatë bisedimeve në Paris, në të cilat ministrja franceze e Mbrojtjes Florence Parly dhe ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian po takoheshin me homologët e tyre rusë, Sergei Shoigu dhe Sergei Lavrov.
Rusia ka këmbëngulur pavarësisht provave të konsiderueshme se nuk është palë në konfliktin ukrainas.
Grumbullimet e mëparshme të trupave ruse pranë kufirit ukrainas kanë shkaktuar shqetësim më parë në Kiev dhe në mesin e partnerëve perëndimorë të Ukrainës.
Tensionet janë rritur gjithashtu rreth Ukrainës nga gazsjellësi “Nord Stream 2” që do të ndihmojë Rusinë të shmangë tranzitin përmes Ukrainës me furnizimet me energji të destinuara për në Evropën Perëndimore.