Qendra e VV’së në Pejë: Personi që e ofendoi luftëtarin e UÇK-së Agushollin, nuk është anëtar i joni

Qendra e VV’së në Pejë ka reaguar pasi që një person me emrin Feim Sylka në Facebook ofendoi ish-ushtarin e UÇK’së, Shpëtim Agusholli.

Nga kjo qendër thonë se Agusholli është ushtar ikonik dhe gëzon respekt teksa janë distancuar nga deklaratat e personit në fjalë.

‘’Gjatë ditës kemi parë disa lajme nga media të ndryshme lidhur me fyerjen që një person e ka bërë në adresë të simbolit të një luftëtari të ndershëm nga Peja, Shpëtim Agusholli, i cili veç tjerash është invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.’’, thuhet në komunikatë.

‘’Mediat në mënyrë tendencioze, personit Feim Sylka, ju kanë referuar si anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këto lajme të rrejshme janë përsëritur gjatë gjithë ditës nëpër portale dhe postime të mediave të ndryshme në rrjetet sociale si propagandë e ulët kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Personi në fjalë nuk është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe as që ka qenë ndonjëherë. Lëvizja VETËVENDOSJE!- Qendra në Pejë është e indinjuar me fyerjet në drejtim të luftëtarëve të vërtetë në njërën anë dhe përdorimi i lajmeve të rrejshme për propagandë të ulët politike në anën tjetër. Shpëtim Agusholli është luftëtari ikonik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gëzon respekt të jashtëzakonshëm nga të gjithë ata që e njohin.’’, shkruhet tutje.