Rexhep Qosja, fajtor për moskrijimin e Qeverisë së re të Kosovës e ka bërë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një opinion të publikuar në faqen e tij në Facebook, Qosja thotë se është politika e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atyre të tjerëve jashtë LDK-së, që duan ta pengojnë Vetëvendosjen që të bëhet forca politike historike, që do realizojë vullnetin e popullit për ndryshimin e gjendjes që po e gulçon Kosovën.
“Fajtorin e moskrijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës sot, mos ta kërkojmë, prandaj, andej e këndej, po aty ku është: e është në politikën e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Dhe, të atyre të tjerëve jashtë LDK-së, që duan ta pengojnë Vetëvendosjen që të bëhet forca politike historike, që do realizojë vullnetin e popullit për ndryshimin e gjendjes që po e gulçon Kosovën, që moçalishten shtetërore të Kosovës të vërshuar prej korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar, padrejtësive, përpjekjeve për të gjetur shpëtim në botë rinia e saj, despotizmit primitiv don ta shërojë e ta bëjë shtet të shëndoshë, modern, demokratik, të denjë për të jetuar i lirë e i denjë në të”, ka thënë mes tjerash Qosja.
Akademiku thotë se posti i presidentit të ardhshëm të Kosovës, që do zgjidhet në vitin 2021, është bërë shkaku kryesor, mos i vetmi, që dy partitë që i kanë nisur bisedimet për krijimin e koalicionit nuk po arrijnë ta krijojnë atë koalicion dhe nuk po arrijnë t’i krijojnë institucionet shtetërore.
Tutje, ai thotë se partia që doli e dyta në zgjedhje, LDK-ja, edhe pse e dyta, kërkon të jetë jo e barabartë, por e privilegjuar në institucionet që do të krijohen.
“Përpos pesë ministrive sa do të ketë edhe partia e parë që i ka fituar zgjedhjet, VV, dhe postit të kryetari të Kuvendit, kërkon të ketë edhe postin e kryetarit të Kosovës! Është kjo një çudi e çudirave! Je parti e dytë, d.m.th. parti që s’i ke fituar zgjedhjet për ta krijuar qeverinë e kërkon të jesh në institucionet shtetërore parti me dy postet më të larta, me postin e kryetarit të Kuvendit dhe me postin e kryetarit të shtetit! Ku ndodh kjo?!”, deklaroi Rexhep Qosja.