Ndërhyrja e policisë ka shpëtuar nga tmerri 6-vjeçar anëtarët e një familje në Tiranë. Xherxh Laçi 52 vjeç i njohur dhe me emrin Gjergj, mbante të ngujuar bashkëshorten dhe fëmijët e tij të mitur për shkak të bindjeve radikale.
Ndërhyrja e antiterrorit dhe policisë u krye në zonën e ‘5 Majit’, atje ku familja jetonte në kushte të vështira ekonomike.
Policia sekuestroi armë të ftohta dhe fishekë, ndërsa krahas ngujimit, kryefamiljari ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj gruas dhe fëmijëve, 15 dhe 17 vjeç. Këta të fundit pasi kishin përfunduar arsimin 9-vjeçar, u ishte ndërprerë vijimi i gjimnazit nga i ati.
52-vjeçari njihet si praktikant i fesë por nga ana tjetër edhe si person që konsumonte alkool.
Gjithashtu, mësohet se asnjë nga anëtarët e familjes nuk punonte por ndihmoheshin nga të afërmit. Xherxh Laçi mbahet i arrestuar në pritje të akuzave që do t’i komunikohen ndërsa fëmijët e mitur dhe nëna e tyre janë dërguar në një qendër të trajtimit të veçantë të personave që bien pre e dhunës.
Laçi është një emër i njohur për policinë pasi në vitin 2013 është arrestuar nga forcat RENEA për shkak se qëllonte në ajër me automatik duke alarmuar banorët e zonës.