Tashmë janë paraqitur edhe shkëndijat e para të tensioneve në pjesën veriore të vendit tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat të banuara shumicë serbe, shkruan Insajderi.
Afro tetë vetura të djegura për arsye të targave të Republikës së Kosovës (RKS), sulmet me bomba trulluese ndaj zyrtarëve policorë si dhe kërcënim “me kryengritje të përgjithshme” nga Lista Serbe pas arrestimit të një personi të nacionalitetit serb të akuzuar për plagosje ndaj zyrtarëve të Kosovës, ishin ngjarjet që karakterizuan këtë javë.
“Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, u shpreh dje ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq, gjatë orës 02:00 të mesnatës në Mitrovicë të Veriut disa zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar me mjete shpërthyese.
“Njësitet kompetente policore dhe krim teknika kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e nevojshme të vend shikimit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ’Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces”, thuhet në njoftimin e PK-së, dërguar mediave.
“Policia e Kosovës pavarësisht akteve të tilla nga individ apo grupe të caktuara kriminale mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ruajtjes së rendit, garantimit të sigurisë së qytetarëve pa dallim, si dhe arrestimin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të përfshirë në raste të tilla”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi “kryengritje të përgjithshme” në rast të moslirimit të serbit të arrestuar. Në një konferencë për media ai i doli në mbrojte Milan Bozhoviqit të arrestuar.
“Do të doja të kisha ardhur sot këtu për të folur për ZSO-në (Asociacionin) dhe se a u formua dhe që populli serb në Kosovë të ndihej më i sigurt dhe më i sigurt. Për fat të keq, lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë sjellë vetëm indinjatë, revoltë dhe pakënaqësi të Populli serb”, tha Rakiq.
“Nëse represioni vazhdon dhe nëse i arrestuari Milan Bozhoviq nuk lirohet, do t’i bëjmë thirrje popullit për rezistencë të përgjithshme, sepse nuk mund ta tolerojmë Albin Kurtin dhe institucionet e tij”, tha ai në një konferencë për media këtë të diele.