Rakiq shan Kurtin, vajton Vuçiqin

“Aktor, gënjeshtar, hipokrit” – Me këto epitete jo të këndshme i është referuar kryeministrit Albin Kurti, vartësi i tij – ministri për kthim e komunitete, Goran Rakiq.

Në një komunikatë të lëshuar në emër të tij nga partia ku është kryetar, pra Lista Serbe, Rakiq i reagoi ashpër Kurtit për deklaratën se nuk mund të themelohet në Republikën e Kosovës një Asociacion i Komunave që është një etnik.

“Me këtë deklarim, Kurti sot tregoi se raporti i tij ndaj dialogut është aktrim e rrenë. Pa zbatimin e ujdisë për Asociacionin e Komunave Serbe nuk do të ketë dialog të vërtetë apo ndonjë rezultat. Me këso qasje Kurti paraprakisht e vetëdijshëm gjykon në dështim” thuhet mes tjerash në Komunikatën e LS-së.

Po ashtu ministri thotë se me qasjen e tij, shefi i qeverisë në Prishtinë po i jep shuplakë të fortë Bashkimit Evropian.

Rakiq ia mban hallin edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, që në letër e paraqet si njeri që e do paqen.

“Shtrohet pyetja ku janë kufijtë e durimit të ndërmjetësuesit e garantuesit të dialogut, pra BE-së, por edhe të presidentit Vuçiq, dora e të cilit ka mbetur e shtrirë e në ajër për shkak të mos gatishmërisë së Kurtit, që nga lideri opozitar të kthehet në rolin e dikujt që duhet të merr vendime e të pranojë ujditë e nënshkruara” shkruhet në deklaratën e Listës Serbe me kryetar Goran Rakiq.