Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e Festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.
Sipas Ramës, vendimi i tillë i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, “do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm”.
“Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar ai në Facebook.
Rama, megjithatë, pret reflektim nga Qeveria që ky festival t’i kthehet Prishtinës.
“Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar tutje Rama.
Komuna e Prishtinës pati ndarë një pronë në Bërnicë për organizimin e festivalit, për 99 vjet. Megjithatë, vonimi i lëshimit të lejes nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, siç kanë thënë organizatorët, ka bërë që të detyrohet te zhvendosja e organizimit në Tiranë.