Raportohet për tensione mes Osmanit e Vuçiqit në Samitin në Slloveni

Në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun të Sllovenisë, ka pasur tensione mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka raportuar “Novosti”, Osmani dhe anëtari boshnjak i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, kanë reaguar pas propozimit të Vuçiqit.

Vuçiq ka thënë se thjeshtë ka paraqitur kufijtë e Serbisë sipas Kartës së OKB-së.

Siç raporton “B92”, Vuçiq kishte marrë një propozim për konkluzione që duhet të miratohen sot, dhe ndoshta një deklaratë mbi pandryshueshmërinë e kufijve të Ballkanit Perëndimor.

Në ato përfundime thuhet se të gjithë pjesmarrësit kundërshtojnë ndryshimin e kufijve, por Vuçiq, tregoi se prezantoi një ndryshim të vogël.

“Unë thjeshtë vendosa kundërshtimin i ndryshimit të kufijve të jetë në përputhje me Kartën e OKB-së. Shqiptarët nuk donin në asnjë mënyrë të flisnin për OKB-në, e të flasim ndryshe për këtë është plotësisht e pamundur”, ka deklaruar Vuçiq në konferencë për media.

Sa i përket vazhdimit të dialogut Vuçiq tha se duhet vullnet për kompromis.

“Nëse vini e thuani: duhet të jetë si themi, atëherë nuk mundet ashtu. Duhet të bisedohet, jo të urdhërohet”, tha Vuçiq.