Mediat daneze dhe evropiane kanë raportuar se nga viti 2012 deri më 2014, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) ka spiunuar politikanët në Evropë, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Spiunimi është bërë me ndihmën e inteligjencës daneze.
Informacionet kanë dalur në bazë të një hetimi të brendshëm në Shërbimin e Inteligjencës Mbrojtëse Daneze, raportoi transmetuesi danez DR më 30 maj, duke cituar nëntë burime të paidentifikuara që kanë pasur qasje në hetim.
Për të kryer spiunimin amerikanët kishin përfituar nga një bashkëpunim vëzhgimi me njësinë e inteligjencës ushtarake të Danimarkës, raportoi DR.
Sipas hetimit, NSA përdori kabllot daneze të informacionit për të spiunuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë dhe Gjermani, përfshirë kancelaren Merkel dhe ish-ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Danimarka është një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara. Në territorin e saj gjendet stacionet kryesore për kabllot e internetit nënujore, për dhe nga, Gjermania, Norvegjia, Suedia, Holanda dhe Britania e Madhe.
Sipas mediumit danez, ministrja e Mbrojtjes, Trine Bramsen, e cila mori postin në qershor të vitit 2019, u informua për spiunimin në gusht të 2020-ës.
Ajo i tha transmetuesit publik se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.
NSA dhe Shërbimi Inteligjent i Mbrojtjes së Danimarkës nuk pranuan të komentojnë për këtë çështje.
Kancelarja gjermane u njoftua për pretendimet vetëm kur ajo u pyet nga gazetarët, tha një zëdhënës i saj. Ai nuk pranoi të komentojë më shumë.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Peter Hultqvist, i tha transmetuesit suedez SVT se ai “kërkoi informacion të plotë”. Ndërsa ministri norvegjez i mbrojtjes Frank Bakke-Jensen i tha transmetuesit NRK që ai po i trajton me seriozitet akuzat.