Komuniteti i gazetarëve në Kosovë ka paralajmëruar protestë për të hënën, në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë” është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kjo protestë pritet të mbahet në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, bëhet e ditu rnë njoftim.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë dje vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta.
Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.
Për rastin e Klanit gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti, në një sërë reagimesh në Twitter ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, e jo një “teknikalitet”.
Tutje kryeministri ka folur për “biznesmenë të fuqishëm”, që thotë ai shkelin ligjin për përfitime financiare, duke rrezikuar kështu demokracinë.
“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”, shkroi ndër të tjera kryeministri.
Gjatë ditës së djeshme reagoi edhe presidentja Vjosa Osmani duke thënë se çdo dilemë ligjore që ekziston për këtë rast duhet të sqarohet, dhe se “presidentja pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.