Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”, raporton mediumi kroat, Jutarnji.
Kështu Gjukanoviq iu referua faktit se Joanikije dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, fluturuan për në Cetinje me helikopter, ndërsa shumë protestues po i prisnin dhe barrikada të shumta u vendosën në qytet dhe në rrugët që të çonin në të.
“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez në fillim të fjalimit.
“Duke abuzuar brutalisht me institucionet shtetërore të sigurisë, kryesisht ushtrinë dhe policinë, dhe përdorimin krejtësisht të papërshtatshëm të forcës kundër qytetarëve të mbledhur paqësisht në kryeqytetin malazez, qeveria malazeze mundësoi shugurimin me dhunë të mitropolitit Joanikije, kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Cetinjes dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve malazezë. Vetëm një njeri pa dinjitet do të lejonte që të sillej në manastirin e Cetinjes në një mënyrë të tillë me helikopter që zbriste në kryeqytetin malazez nën mbrojtje të blinduar, dhe në atë mënyrë ta turpëronte fronin e Shën Pjetrit”.
Ai tha se qytetarët e Cetinjes ishin në krye të detyrës, siç kanë qenë shumë herë në historinë e Malit të Zi. Gjukanoviq tha se qytetarët e mbledhur paqësisht në një mënyrë vendimtare dhe të përgjegjshme mbrojtën nderin dhe dinjitetin e qytetit dhe shtetit të tyre.
“Kjo dëshmohet më së miri nga fakti se përkundër provokimeve të rëndësishme që pësuan, qytetarët e mbledhur nuk e lejuan veten në asnjë moment ta rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e kryeqytetit dhe Malit të Zi, dhe ta rrezikojnë jetën dhe shëndetin e ndonjërit prej qytetarëve të mbledhur, përfshirë anëtarët e autoriteteve malazeze të sigurisë”, tha Gjukanoviq.
“Kjo është fitorja e Pirros e qeverisë, e cila vazhdon t’u shërbejë interesave të mëdha shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe si këngë hit e nacionalizmit serbomadh kundër Malit të Zi. Përndryshe, mund të thuhet se ky është fundi i respektit që Kisha Ortodokse Serbe ka gëzuar deri më tani si në kryeqytetin malazez ashtu edhe në vendin tonë”, u shpreh presidenti malazez.
Mitropoliti Joanikije u shugurua të dielën në mëngjes në kryeqytetin historik fetar të Malit të Zi, pavarësisht kundërshtimit nga mijëra protestues që i mbajtën rrugët e bllokuara për në Cetinje për dy ditë rresht.
Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku serb, Porfirije arritën në Cetinje me helikopter dhe të shoqëruar nga një njësi speciale të policisë, ndërsa forcat e policisë thyen barrikadat dhe protesta u përshkallëzua në zemër të kryeqytetit malazez dhe në rrugë.
Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezët patriotë që e kundërshtojnë këtë, trasmeton Express.
Pas shugurimit, mitropoliti Joanikije tha se do të duhej shumë kohë për t’i kapërcyer ndarjet aktuale, një pjesë e mirë e të cilave tha se u provokuan artificialisht.
Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të ciëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, Veselin Veljoviq.
Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.
“Gjithçka që ndodhi dje dhe sot në Cetinje është një përpjekje për veprime terroriste. Është plotësisht e qartë se autorët dhe organizatorët janë udhëheqësit më të lartë të DPS-së në bashkëpunim me grupet e organizuara kriminale, të cilave shteti do t’iu dalë në rrugë”, ka shkruar Krivokapiq në Twitter.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe ish-kryeministri, Dushko Markoviq tha se qeveria e Krivokapiq e solli vendin në konflikt dhe shkaktoi pengesën më të madhe për Malin e Zi.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi bëri thirrje për ulje urgjente të tensioneve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos e shkarkojnë zemërimin e tyre ndaj policisë.
Në një deklaratë, ambasada amerikane i bëri thirrje policisë të përdorë vetëm mjetet e nevojshme për të vendosur paqe në parandalimin e trazirave. “Të gjithë ju që mbështesni një Mal të Zi multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik – ju ftojmë t’i ulni tensionet aktuale”, thuhet në postimin e ambasadës në Facebook.
Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006, por kisha e saj nuk është bërë autoqefale dhe është nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën kundërshtarët e shohin si simbol të ndikimit të Serbisë në Malin e Zi të pavarur.
Ndërsa Joanikije vlerësoi se akti i shugurimit është politizuar dhe se askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë Kishës Ortodokse Serbe që ta mbajë ceremoninë diku tjetër, malazezët e konsiderojnë fyerje dhe provokim që udhëheqësi i Kishës Ortodokse të hipë në fron në një manastir ku tradicionalisht ndodhej malazezi Shën Pjetri i Cetinjes.