REL zbardh prapaskenat/ Si dhe pse u largua nga Kosova festivali Sunny Hill?

Në pamundësi që të marrë në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në komunën e Prishtinës për 99 vjet, festivali i muzikës, Sunny Hill Festival, u zhvendos nga Prishtina për në Tiranë. Të paktën për këtë vit.

Ky vendim u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahet festivali, nga 4-7 gusht.

Në një njoftim që nxiti debat të gjerë në Kosovë, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa, tha se arsye për këtë është zvarritja e procedurës për marrjen në shfrytëzim të një hapësire në komunën e kryeqytetit të Kosovës. Bëhet fjalë për një parcelë në Bërnicë të Poshtme.

Vetë procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës për kompaninë Sunny Hill (Sh.P.K.), që e organizon festivalin, u përcoll me kundërshtime politike nga niveli komunal e deri tek ai qendror.

Kundërshtime pati edhe nga shoqëria civile dhe aktivistët.

Në momentin kur u bë i ditur vendimi se festivali do të zhvendosej në Tiranë, institucionet e Kosovës ende nuk e kanë marrë një vendim final për dhënien ose jo të tokës në shfrytëzim për festivalin.

Largimi i këtij edicioni të Sunny Hill nga Kosova përveç që nxiti kritika të shumta të politikanëve e qytetarëve ndaj Qeverisë, u quajt një gabim strategjik edhe nga raportuesja për Kosovën në Komisionin Evropian, Viola von Cramon.

Ju sjellim se si është zhvilluar procedura lidhur me tokën.

Marrëveshja e kundërshtuar mes Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe një përfaqësues i kompanisë Sunny Hill, nisën negociatat për dhënien në shfrytëzim të një toke të Prishtinës për këtë festival në mars të vitit 2022.

Pas takimeve negociuese që u mbajtën më 21 mars, 6 prill e 4 maj, kryetari Rama dhe Sunny Hill arritën një marrëveshje që iu prezantua Kuvendit Komunal të Prishtinës. Marrëveshja u votua më 10 maj.

Sipas kësaj marrëveshjeje, kompanisë Sunny Hill do t’i jepej në shfrytëzim një parcelë në fshatin Bërnicë e Poshtme, në një hapësirë prej 17 hektarësh.

Kjo tokë do jepej në shfrytëzim për 99 vjet.

Ligji që rregullon dhënien në shfrytëzim të pronave komunale parasheh se komunat mund të japin në shfrytëzim pronat për periudha të ndryshme, nga një vit e deri në 99 vjet.

Kjo marrëveshje hasi në kundërshtime brenda opozitës komunale.

Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se në mbledhjen e 10 majit kanë kërkuar që kjo marrëveshje të shqyrtohej në një seancë tjetër të mëvonshme, pasi dokumentacioni, sipas tij, nuk ishte i kompletuar.

“Ne e vërejtëm që ka shumë mangësi, dosja nuk ishte e kompletuar. Ishim të revoltuar dhe të brengosur kur i pamë kushtet e kontratës, të cilat i ka negociuar kryetari”, tha Sveçla.

Sipas tij, kundërshtimi më i madh ka qenë për “kohëzgjatjen e madhe, 99 vjet”.

“Kemi dhënë oferta të tjera, i kemi dhënë 10 vjet me mundësi vazhdimi pastaj”, tha Sveçla.

Vërejtja e dytë, sipas tij, kishte të bënte me kushtet e kontratës që ndalojnë mbajtjen e ndonjë festivali të karakterit të ngjashëm “që i bën konkurencë festivalit Sunny Hill” në këtë hapësirë.

Marrëveshja lejonte vetëm evente të muzikës klasike dhe xhaz të organizuara nga Komuna e Prishtinës, Filarmonisë së Kosovës, apo vendi të jetë nikoqir i orkestrave filarmonike nga mbarë bota.

Tutje, sipas marrëveshjes, vetëm 30 për qind e fitimeve nga organizimet e komunës do t’i takojnë Komunës së Prishtinës. Nuk ceket kujt i takon 70 për qind e fitimeve të tjera.

Me gjithë kundërshtimet, Kuvendi Komunal atë ditë arriti ta kalojë këtë marrëveshje me 26 vota pro nga 51 asamblistë gjithsej.

Pro votuan asamblistët e partisë në pushtet në komunë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia nga cila vjen kryetari i komunës, si dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, kundër votuan asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Nismës Socialdemokrate.

Komuna e Prishtinës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për pretendimet e opozitës komunale se dosja e dorëzuar para Kuvendit Komunal nuk ka qenë e kompletuar.

Ata, po ashtu, nuk i kanë komentuar kritikat se kryetari ka negociuar marrëveshje të dëmshme për Prishtinën.

Marrëveshja e kontestuar në shkallën e dytë

Pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës më 10 maj mori vendim që do t’ia japë në shfrytëzim tokën kompanisë Sunny Hill, sipas ligjeve në fuqi, ky vendim është dashur të dërgohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

MAPL-ja ishte paraparë që të merrte vendim që tregon nëse vendimi i komunës është i ligjshëm ose jo.

Më 14 qershor, kur erdhi lajmi se festivali po zhvendoset në Tiranë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e kritikoi këtë ministri se gjatë procesit për vendimin e ligjshmërisë “ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Vendimi i komunës i ishte dërguar për shqyrtim MAPL-së, më 16 maj. Sipas një sqarimi publik që kjo ministri ka bërë më 14 qershor, ata kanë kërkuar dokumente shtesë në mënyrë që të marrin vendimin final për ligjshmërinë ose jo të këtij vendimi.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, lënda kishte disa “dokumente esenciale që mungonin në aplikacion”.

Përkatësisht, sipas MAPL-së, në këtë vendim ka munguar: Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit, si dhe qarkullimi bankar për vitin paraprak.

Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje lidhur me atë se pse kanë munguar këto dokumente në aplikacion dhe kur pritet që këto dokumente të dorëzohen në MAPL.

Sunny Hill: Kohëzgjatja e shfrytëzimit të tokës ka qenë opsionale

Megjithëse kundërshtimet kryesore karshi marrëveshjes së komunës me Sunny Hill kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim të tokës, përfaqësuesit e këtij festivali thonë se kjo për ta ka qenë opsionale.

Shpat Begolli, përfaqësues i festivalit Sunny Hill, për Radion Evropa e Lirë ka arsyetuar pikën ku kërkojnë që mos të mbahen festivale të karakterit të njëjtë në këtë hapësirë.

“Kjo bëhet për të mbrojtur parkun nga shkatërrimi që do t’i bëhej në rast se organizohen shumë evente gjatë vitit. Në të njëjtën kohë, parku Sunny Hill do të qëndrojë i hapur për shfrytëzim rekreativ për qytetarët gjatë të gjithë ditëve tjera”, thuhet në përgjigjen e Begollit.

Ai thotë se se alokimi i kësaj toke edhe vetëm për një park do të kishte arsyeshmërinë e vet “pa hyrë në investimet dhe benefitet tjera që sjell Sunny Hill”.

Begolli ka përsëritur ankesën ndaj “vonesave të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.

“Asgjë nuk e arsyeton vonesën e aprovimit ose zgjidhjen e problemit nga ana e MAPL-së deri në atë pikë që të rrezikohet mbajtja e festivalit, pikë kjo që e kemi theksuar disa herë që nëse vonohet fillimi i punimeve, festivali përkundër dëshirës nuk mund të mbahet”, tha Begolli për REL.

Ankesat e qytetarëve në lidhje me marrëveshjen e komunës me Sunny Hill

Radio Evropa e Lirë ka siguruar ankesën që në MAPL është dërguar nga një grup qytetarësh që e quajnë veten Grupi Jo Formal për Mbrojtjen e Pronës Publike.

Në këtë ankesë, qytetarët kanë disa ankesa sa i përket marrëveshjes së miratuar në komunë.

Përveç tjerash, ata janë ankuar për mungesë të transparence, pasi kjo marrëveshje nuk është publikuar në faqen e Komunës.

Në ankesën e qytetarëve, ata i kërkojnë MAPL-së që kjo marrëveshje të anulohet.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me këtë çështje ka kërkuar mendim edhe nga Ministria e Bujqësisë, si dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor, për shkak se parcela në fjalë është tokë bujqësore, sipas dokumentit të komunës.

Në një përgjigje për REL, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë se më 8 qershor 2022 ka pranuar kërkesën nga MAPL-ja për vlerësim të ligjshmërisë për këtë vendim.

Më 15 qershor, kjo ministri ka thënë se do t’i përgjigjet me shkrim MAPL-së, pa treguar se kur do të kthehet kjo përgjigje.

Ministria e Planifikimit Hapësinor deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur në lidhje me këtë çështje.

Si do të mbahet festivali në Tiranë?

“Datat e njëjta, përvoja e njëjtë e bukur, lokacion tjetër”, ky është njoftimi që festivali “Sunny Hill” bëri në media sociale për të njoftuar zhvendosjen e festivalit në Tiranë.

Lajmi shpejt u shpërnda edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur për REL se ftesa e hapur nga Tirana “ka qenë prezent prej vitit 2018 dhe të gjithë palët kanë qenë shumë të vetëdijshme për këtë”.

“Ideja gjithmonë ka qenë që festivali të mbahet në të dy kryeqytetet”, thotë Begolli.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se festivali do të kthehet në Prishtinë sapo të krijohen kushtet për të.

“Sunny Hill e ka vendin në Prishtinë. Kurdo që krijohen kushtet që Sunny Hill Festival të ketë qasje në një pronë të mirëmbajtur dhe lokacion të përhershëm, si dhe mbështetjen e institucioneve lokale edhe atyre qendrore, atëherë Sunny Hill do të kthehet në Prishtinë. Ne shpresojmë shumë që kjo të jetë në vitin 2023 nëse përgatitjet për hapësirë vazhdohen qysh prej tash”, tha ai.

Sipas Begollit, Sunny Hill do të mbahet në brigjet e liqenit artificial në Tiranë.

“Hapësira e përzgjedhur është bukur e gatshme dhe ka nevojë për intervenime minimale”, tha ai.

Festivali Sunny Hill ishte mbajtur për herë të parë në Prishtinë në vitin 2018 dhe sërish në vitin 2019.

Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të tjerë. Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit./REL