Ish-presidenti demokrat Joe Biden u shfaq për herë të parë qysh prej largimit nga Shtëpia e Bardhë në Janar. Ai mbajti një fjalim në Çikago, në mbrojtje të Administratës së Sigurimeve Shoqërore, pas shkurtimit të stafit dhe mbylljes së disa zyrave nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë që drejtohet nga miliarderi Elon Musk.
Biden tha se administrata e Trump i ka vënë sëpatën kësaj agjencie.
“Në më pak se 100 ditë, kjo administratë e re ka bërë kaq shumë dëme dhe kaq shumë shkatërrime. Është diçka befasuese që mund të ndodhë kaq shpejt. Ata i kanë hyrë me sëpatë Administratës së Sigurimeve Shoqërore duke përzënë 7,000 punonjës, përfshirë edhe zyrtarët më me përvojë.”
Ish-presidenti i cilësoi Sigurimet Shoqërore “më shumë se një program qeveritar”.
“Është një premtim i shenjtë që kemi bërë si komb. Ne e dimë se sa rëndësi ka sigurimi shoqëror për jetën e njerëzve. Pse këta djem po synojnë tani Sigurimet Shoqërore? Ata duan ta rrënojnë atë, duan ta grabisin atë në mënyrë që t’u bëjnë shkurtime të mëdha taksash miliarderëve dhe korporatave të mëdha”.
Rishfaqja e Biden solli diskutime mes demokratëve. Disa thanë se mund të ishte më mirë për të që të mos rihynte në grindjen politike. Ndërsa për të tjerë është e rëndësishme që Biden të flasë për sigurimet shoqërore, pikërisht për shkak të moshës së tij.
Ndërkohë në qytete të ndryshme të SHBA u protestua kundër shkurtimeve të administratës Trump, duke i kërkuar të heqë duart nga sigurimet shoqërore.
Sigurimet shoqërore paguajnë 1.4 trilion Dollarë përfitime për 73 milionë amerikanë të moshuar dhe me aftësi të kufizuara çdo vit. Trump u zotua vazhdimisht gjatë fushatës së tij zgjedhore që të mos prekte përfitimet e Sigurimeve Shoqërore.