Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora tash e sa ditë është bërë ndër artistet më të përfolura, me pjesëmarrjen e saj në jurinë e ”The Voice of Australia”.
Së fundmi, Rita ka qenë pjesë e një vlogu interesant të “Wired”, duke iu përgjigjur pyetjeve më të shpeshta që fansat i kanë bërë në platformën e kërkimit në Google për të.
Mes të tjerash ajo i është përgjigjur një nga pyetjeve më të shpeshta që njerëzit bëjnë në Google, e cila është: “A është Rita Ora shqiptare?”.
Sigurisht që përgjigja e saj ishte “Po”, por teksa e ka pranuar origjinën e saj etnike, Rita nuk ka hezituar që të japë edhe një shpjegim të shkurtër për fansat e saj rreth nocionit “kosovar”, duke treguar se i është referuar vetes si shqiptare, ngase Kosova deri në vitin 2008 ishte e pavarur, por thotë se teknikisht këto dy terme janë e njëjta gjë.
“Po, por më lini t’jua shpjegoj pak, është pak e komplikuar në rregull? Kosova është tani e pavarur, e cila nuk ka qenë më parë. Kështu që teknikisht, po, për disa vite unë do të thoja: Jam shqiptare, jam shqiptare, shqiptare, por unë aktualisht jam kosovare, por është vërtet shumë e përafërt”, ka thënë Rita.
30-vjeçarja i është përgjigjur gjithashtu pyetjes “Çfarë i lidh Rita Orën dhe Jim Belushin?”, duke theksuar: “Epo mirë, ne jemi të dy nga i njëjti shtet, nga Kosova. Ka aktualisht plot artistë të mrekullueshëm tani që po vijnë nga vendi im. Jam shumë krenare për këtë, por po. Ai është një ikonë prej nga jam unë”.