Janë të dhimbshme historitë që vijnë nga zonat e prekura nga tërmeti i Marokut. BBC ka sjellë përjetimin e dhimbshëm të Tayeb ait Ighenbaz i cili u detyrua të zgjidhte nëse do të shpëtonte djalin 11-vjeçar apo prindërit e tij kur u bllokuan nën rrënoja.
Bari i dhive nga një komunitet i vogël në malet Atlas thotë se është ende i përhumbur nga vendimi që duhej të merrte. Tayeb ishte me gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij të premten mbrëma në shtëpinë e tyre të vogël prej guri kur ajo u trondit nga tërmeti më i madh që ka rënë në vend në 60 vjet.
“Këtu ishin” – i tregon ai rrënojat gazetarit të BBC-së. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kur ndodhi tërmeti, ne të gjithë vrapuam te dera. Babai im ishte duke fjetur dhe unë i bërtita mamasë sime të vinte, por ajo qëndroi prapa për ta pritur atë” – kujton ai.
Pasi ndërtesa u shemb ai pa vetëm gruan dhe vajzën e tij. Kur u kthye nga rrënojat gjeti djalin dhe prindërit e tij të bllokuar. Ai thotë se mundi të shihte dorën e djalit të tij, Adamit që po lëvizte nëpër rrënoja. Ai e dinte se duhej të vepronte shpejt dhe filloi të gërmojë në mënyrë të dëshpëruar për ta nxjerrë atë jashtë. Kur u kthye nga prindërit pas se ata ishin zënë nga një pllakë e madhe guri. Ai thotë se ishte tepër vonë.
“Më duhej të zgjidhja mes prindërve dhe djalit”, – thotë ai me lot në sy. “Unë nuk mund t’i ndihmoja prindërit sepse muri ra mbi gjysmën e trupave të tyre. Është shumë e trishtueshme. Pashë prindërit e mi duke vdekur.”
Tayeb tregon njollat në xhinset e tij me ngjyra të çelura duke thënë se ky është gjaku i prindërve të tij. Të gjitha rrobat e tjera të tij u zunë poshtë nga rrënojat dhe ai nuk ka të tjera për t’u ndërruar. Familja tani jeton me të afërmit në tenda të improvizuara pranë shtëpisë së tyre të mëparshme. Tayeb thotë se të gjitha paratë e tij ishin në shtëpi dhe shumica e dhive të tij u vranë.
“Është si të lindësh sërish në një jetë të re. Pa prindër, pa shtëpi, pa ushqim, pa rroba. Unë jam 50 vjeç tani dhe duhet të filloj përsëri” – thotë ai duke kujtuar këshillën e prindërve: “Ata gjithmonë thoshin: “Ji i durueshëm, puno shumë, mos u dorëzoni kurrë”.
Ndërsa flasim, djali i tij Adami vrapon, i veshur me një kostum futbolli të Juventusit me emrin e Ronaldos në shpinë. Ai përqafon babain e tij. “Babai im më shpëtoi nga vdekja” – thotë duke buzëqeshur. Pak më poshtë rrugës, një tjetër babë e bir qëndrojnë të përqafuar. Abdulmajid ait Jaefer thotë se ai ishte në shtëpi me gruan dhe 3 fëmijët e tij kur ra tërmeti dhe “dyshemeja u shemb”. Djali i tij, 12-vjeçari Mohamed arriti të dalë nga ndërtesa, por pjesa tjetër e familjes mbeti e bllokuar.
Abdulmajid thotë se këmbët i ishin bllokuar nga rrënojat, por ai u tërhoq nga një fqinj. Më pas ai kaloi 2 orë duke u përpjekur të shpëtonte gruan dhe njërën nga vajzat e tij. Të dyja ishin të vdekura kur i nxorën nga mbeturinat. Të nesërmen u nxorr edhe trupi i pajetë i vajzës tjetër.
Abdulmajid, 47 vjeç, tani është duke fjetur nën një pëlhurë të gomuar përballë shtëpisë së tij. Ai mund të shohë kuzhinën, me frigoriferin ende në këmbë dhe rrobat e varura për t’u tharë. Ai thotë se nuk mund të largohet nga zona sepse i duhet të “qëndrojë roje” i pasurisë dhe kujtimeve të jetës së tij. “Kjo është kuzhina ime dhe frigoriferi im. Ne ishim të gjithë atje. Tani vetëm po e shikoj” – thotë ai.
The remnants of Tayeb ait Ighenbaz’s house
Para të premtes, Abdulmajid thotë se “asnjëherë nuk kishte menduar për një tërmet. Edhe tani, nuk mund ta besoj”. Ndërsa flasim, makinat ndalojnë pranë nesh dhe njerëzit përkulen për t’i shprehur ngushëllime. Të tjerët që ecin në rrugë ndalojnë për të përqafuar babanë dhe bashkëshortin në zi. “Në familjen time ishin 5 veta, tani janë 2”, – më thotë i pikëlluar. “Për momentin po mendoj vetëm për një gjë: djalin tim”.