Protesta e së hënës për rritjen e çmimeve solli në shesh qytetarë të brezave të ndryshëm, por është një moshë e cila preket veçanërisht nga inflacioni: mosha e pensionit. Me të ardhura të ulëta dhe fikse, pensionistët shqiptarë përballen me llogari të vështira matematikore.
Por një nga ata aktivistë që ka rënë në sy në këtë protestë ka qenë edhe aktori Florjan Binaj, i cili foli mëngjesin e sotëm në “Dita jonë” për këtë protestë. Binaj theksoi se është në protestë për të ngritur zërin për ata njerëz që e kanë të pamundur të shkojnë në protestë.
“Që nga protesta e parë, mua më kanë mbetur në mend disa njerëz që realisht jetojnë vetëm me një bidon qumësht edhe me një bukë. Nëse ne e lëmë moshën e tretë në këtë gjendje, nëse ne e lëmë rininë në këtë gjendje, e ardhmja nuk do mend se si do të jetë. Jemi aty për të ngritur zërin për ata njerëz që nuk pyeten nëse jetojnë mirë apo jo. Pas gjithë kontributit të tyre disavjeçarë, bëhen vetëm disa sondazhe dhe nuk ka asgjë më rëndësi për ata që drejtojnë. Askush në këtë vend nuk i paguan gabimet përveç popullit. Nëse ti bën një gabim kundrejt shoqërisë, nëse e gjithë klasa politike bën ndonjë gabim kundrejt teje, e paguan sërish ti. Ti nuk je i mbrojtur në asnjë moment, jetesa nuk është e mbrojtur në asnjë moment. Kështu vritet çdo ndjesi që ti ke votuar dikë të përmirësojë jetën dhe në fakt, ai nuk të jep më llogari.
Kanë 30 vjet që justifikohen. Këtu ndahemi në dy shtresa, ata që e dinë dhe flasin dhe ata që e dinë dhe nuk flasin. Unë them që të mblidhen sa më shumë njerëz të vijnë të flasin”. Por çfarë shpreson Florjan Binaj të arrijë me këtë protestë? “Ne dëgjojmë çdo vit që KLSH thotë këtë vit janë shpërdoruar 500 milionë euro. Po, a ka hyrë njeri në burg? Asnjë. Ne shpresojmë që ky zë i protestës të ndërgjegjësojë këta njerëz të përpiqen të mos vjedhin kaq shumë dhe këto lekë që shpërdorohen t’u shkojnë këtyre njerëzve në nevojë”, u shpreh Binaj.