“Ne do të mbyllim TikTok-un për 1 vit”.
Ky vendim i qeverisë shqiptare nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Prej më shumë se një muaji, ekzekutivi ishte angazhuar në një proces, të cilin në publik e kishte prezantuar si konsultimi publik ndërmjet qeverisë dhe këshillit të prindërve për filtrat që duheshin vendosur për TikTok dhe Snapchat, dy rrjete sociale të përdorura masivisht nga të rinjtë në vend. Dhe kjo si reagim i parë ndaj ngjarjes së rëndë të ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një konflikti ndërmjet nxënësve, u vra 14-vjeçari Martin Cani.
Në një rezyme të shpejtë të ngjarjes që është ende nën hetim, zanafilla kishte qenë një konflikt në rrjetin social SnapChat, ku nga përplasja virtuale, kaloi në përplasje fatale me një humbje jete. Reagimi i qeverisë ndaj kësaj ngjarje që ngjalli shumë indinjatë mes qytetarëve, ishte hedhja në publik e tezës për mbylljen e dy rrjeteve sociale, SnapChat dhe TikTok, dhe këtë vendim duhet ta mbështeste nga prindërit e nxënësve nëpër shkollat publike të vendit, çka bëri që vetë Rama të niste një tur takimesh.
Dhe në harkun kohor të një muaji, qeveria doli në konkluzionin për të mbyllur vetëm njërën nga dy rrjetet sociale, me argumentin se TikTok influencon negativisht te të rinjtë. Kësisoj, 2025 pritet të sjellë edhe mbylljen e rrjetit social që ka shënuar një “boom” përdoruesish në Shqipëri, duke sfiduar edhe platformat e tjera që mund të konsiderohen si tradicionale, Facebook apo Instagram. Por, pas një vendimmarrje të tillë, natyrshëm lind pyetja, përse TikTok e jo SnapChat?
Vetë TikTok, në një reagim për mediat e huaja, ka nënvizuar se pret sqarime nga ana e qeverisë shqiptare në lidhje me këtë vendim, duke vënë theksin se nuk ishte kjo platformë që solli ngjarjen tragjike pranë shkollës “Fan Noli”. Një sqarim për këto dyshime duket se i dha vetë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, duke krahasuar TikTok-un në Kinë me atë në Shqipëri.
Zyrat qendrore të kompanisë TikTok janë në Singapor, por në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ngritur dyshime për ndërhyrjen e qeverisë kineze në të dhënat e kësaj platforme, duke ngritur shqetësimin e cenimit të sigurisë kombëtare. Por, a lidhet kjo vendimmarrje e qeverisë shqiptare me këtë arsye, ku masat shtrënguese iu vunë TikTok-ut, në pronësi kineze, e jo Snapchat-it që është kompani amerikane?
Arsye apo jo gjeopolitike, pak rëndësi ka për mjedisin politik shqiptar, ku përfaqësuesit e opozitës e cilësuan këtë vendimmarrje të qeverisë si cenim të lirisë së fjalës, duke bërë edhe një premtim elektoral.
“Do të hapim TikTok-un pas zgjedhjeve”, tha Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike.
Leximi i PD shoqërohet me argumentin se të dhënat e ekspertëve të rrjeteve sociale, e nxjerrin qeverinë më pak të preferuar në këtë platformë dhe vendimmarrja ka qëllime të pastra politike për të afektuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit.
Nëse vendimmarrja politike për të mbyllur TikTok-un kërkoi rreth 4 javë nga nisja e konsultimeve, bërja e tij fakt kërkon së paku dyfishin e kohës, kjo për shkak se implikimi teknologjik është tejet i madh. Për këto sfida teknologjie është në dijeni edhe opozita, ku elementët e rinj të saj kanë një lexim tjetër se përse kryeministri Edi Rama doli në këtë vendimmarrje.
“E bën për moshën e tretë, pasi të rinjtë e gjejnë mënyrën për të aksesuar këtë platformë”, shprehet Endri Shabani.
“Rrugaçëri” ishte termi i përdorur gjerësisht nga qeveria për të përshkuar këtë platformë, por për partitë e reja që janë të lidhura me TikTok, element të tillë janë promovuar nga vetë socialistët.
Debati për TikTok-un sigurisht që nuk do të përfundojë kaq shpejt dhe ndalimi i tij krahas debatit publik do të shoqërojë të gjithë artikulimin politik të partive, sidomos atyre opozitare, ku këtë platformë e kishin të preferuarën e tyre dhe duket si një ushqim shumë i mirë për të mbajtur gjallë konfliktin politik në vend.