Rusët çuan sinjale se duan të përfshihen në marrëveshjen për Kosovën, reagojnë amerikanët

grene

Dick Custin, zëdhënësi i të dërguarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se “të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar me ide, që do të ndihmonin stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Serbisë dhe Kosovës”.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, se zgjidhja përfundimtare për Kosovën duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke miratuar një rezolutë të re që do të zëvendësonte Rezolutën 1244.

Bocan-Kharchenko ka folur më 9 maj për gazetën beogradase Politika.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në bisedimet për Kosovën, Bocan-Kharchenko ka thënë se “për bashkëngjitjen e saj, para së gjithash, duhet ftesa e Beogradit”.

Duke komentuar deklaratat e ambasadorit rus, Qeveria në largim e Kosovës ka thënë se “Rusia ka për qëllim ta kthejë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sepse aty ka veto”.

Përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, ajo ka kujtuar se pavarësia e Kosovës është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Pasi që organi i vetëm gjyqësor i OKB-së thotë zyrtarisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit dhe në veçanti Rusia nuk duhet ta kontestojnë mendimin e instancës së vetme gjyqësore të OKB-së. Për më tepër, Rezoluta e KS/1244/99, që pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimit të GjND’së, në një formë të heshtur është abroguar”, ka thënë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Askush prej zyrtarëve në Serbi nuk e ka komentuar deklaratën e ambasadorit rus.

E pyetur ambasada ruse në Beograd se çfarë fshihet pas propozimit të diplomatit rus, nuk ka dhënë përgjigje./REL