Politikani danezo-suedez Rasmus Paludan, i cili dogji Kuranin në Suedi, u ndihmua nga gazetari suedez Chang Frick, i cili bashkëpunoi me degën e kanalit propagandistik rus Russia Today.
Të martën, Paludan i tha gazetës suedeze Dagens Nyheter, se djegia e Kuranit në Suedi nuk ishte ideja e tij, transmeton Telegrafi.
Ai pretendon se sugjerimi për të udhëtuar në Suedi dhe për të djegur Kuranin erdhi nga Frick, dhe një gazetar që punonte për median e ekstremit të djathtë Exakt24.
“Ideja e tyre ishte të digjnin Kuranin para ambasadës turke”, tha Paludan.
Sipas Paludan, ai ka marrë edhe ndihmë financiare nga Frick, e cila ishte e nevojshme për të marrë një leje për demonstrata nga policia.
Frick ka konfirmuar për Dagens Nyheter se ka paguar tarifën në fjalë.
Megjithatë, Frick i tha tabloidit Expressen, se nuk e dinte paraprakisht se Paludan do të digjte Kuranin.
Sipas Frick, ai u përpoq të “lënë të kuptohet” se Paludan mund të bënte diçka tjetër në vend që të digjte Kuranin.
“Unë personalisht nuk do të inkurajoja askënd që të digjte shkrimet fetare ose ta bënte vetë”, tha Frick për Expressen, duke shtuar se qëllimi ishte “provokimi” i Turqisë.
Frick gjithashtu kishte punuar si gazetar për degën e kanalit propagandistik rus Russia Today.
Në një tekst të botuar në vitin 2014, Frick thotë: “Jam gjithashtu profesionist i pavarur për degën e RT Ruptly. Ne gjithashtu blejmë video prej tyre. Mund të thuash se po bashkëpunojmë”.