Serbia dhe Mali i Zi kërkojnë sqarime nga Moldavia për “planin rus”

Serbia dhe Mali i Zi kërkuan sqarime shtesë nga Moldavia në lidhje me pretendimet e presidentes së këtij vendi, Maja Sandu, se ekziston një plan për rrëzimin e udhëheqjes moldave, i cili përfshin edhe qytetarë të Serbisë dhe Malit të Zi.

Zyrtarët në Beograd dhe Podgoricë deklaruan se nuk kanë informacione të tilla dhe kërkuan nga autoritetet moldave detaje rreth akuzave të bëra.

Në ditën kur Sandu shpalli akuzat për ekzistimin e një plani të tillë, nga Moldavia u kthyen tifozët e ekipit të futbollit Partizan nga Beogradi.
Një ditë më vonë, Federata e Futbollit e Moldavisë, me urdhër të shërbimit vendor të sigurisë, ka marrë vendim që ndeshja ndërmjet skuadrave Sherif nga Tiraspoli dhe Partizanit të Beogradit në Ligën e Konferencave, të luhet pa praninë e publikut.

Ndeshja ndërmjet Sherifit dhe Partizanit do të luhet më 16 shkurt në Kishinjev, ndërsa ndeshja e kthimit, më 23 shkurt në Beograd.

Autoritetet moldave nuk kanë njoftuar nëse vendimi për të luajtur ndeshjen pa publik dhe pretendimet e presidentes së vendit lidhur me planin për të rrëzuar udhëheqjen, janë të ndërlidhura.

Çfarë tha presidentja e Moldavisë?

Presidentja e Moldavisë, Maja Sandu njoftoi në një konferencë për shtyp, të hënën, më 13 shkurt, se Rusia planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen e vendit të saj, për të ndalur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdorur këtë në luftën kundër Ukrainës.

Sipas saj, plani përfshin qytetarë të Rusisë, Malit të Zi, Bjellorusisë dhe Serbisë që hyjnë në Moldavi, në mënyrë që të tentojnë të provokojnë protesta, në një përpjekje për të “ndryshuar qeverinë legjitime me një qeveri të paligjshme të kontrolluar nga Federata Ruse”.

Zyrtarët në Beograd dhe Podgoricë thanë se nuk kishin një informacion të tillë dhe i kërkuan Moldavisë sqarime shtesë.

Ndalimi i hyrjes për tifozët nga Serbia

Policia kufitare e Moldavisë konfirmoi se mbrëmjen e 13 shkurtit i refuzoi hyrjen një grupi prej 12 tifozësh të Partizanit nga Beogradi, të cilët u kthyen nga aeroporti.

Policia kufitare i tha shërbimit të Moldavisë të Radio Evropa e Lirë se disa shtetasve të huaj iu refuzua hyrja në Moldavi, me arsyetimin se nuk i plotësojnë kushtet për të kaluar kufirin shtetëror.

“Ata nuk mund të justifikonin qëllimin e udhëtimit të tyre në Moldavi dhe nuk kanë dokumentet e nevojshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e tifozëve të skuadrës së futbollit të Partizanit u kthyen nga Kishinau në Beograd mëngjesin e 14 shkurtit, pasi iu dha zyrtarisht vendimi për ndalimin e hyrjes në atë vend, është bërë e ditur në një nga llogaritë e tifozëve të Partizanit në Instagram.

Gjithashtu, u bë e ditur se pjesa tjetër e tifozëve do të largohet nga Moldavia pas orës 14:00, me fluturimin për në Bukuresht.

Në llogarinë në Instagram që mbledh tifozët e Partizanit, është publikuar një foto, e cila thuhet se është nga aeroporti i Kishinaut.

Në të janë tifozët me një pankartë me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

“Nuk ka dorëzim as në deportimin në Kishinau. Presim reagimin e shtetit të Serbisë”, është shkruar nën foto.

Ata mbajnë gjithashtu një flamur, ku janë ndërthurur ai rus dhe serb.

Ndeshje pa publik

Federata e Futbollit të Moldavisë, me urdhër të shërbimit të sigurisë së Moldavisë, më 14 shkurt ka marrë vendim që ndeshja ndërmjet skuadrave Sherif nga Tiraspol dhe Partizan nga Beogradi të luhet pa praninë e publikut.

Kështu ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, klubi i futbollit Partizani me seli në Beograd.

“KF Partizani, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, po i ndërmerr të gjitha masat e sigurisë për qëndrimin e qetë të ekipit dhe përfaqësuesve të klubit në Moldavi”, thuhet në njoftim.

Klubi i futbollit Partizani njofton tifozët se hyrja në Moldavi dhe ndjekja e ndeshjes nuk është e mundur dhe u kërkon të mos udhëtojnë.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, thuhet se tifozët që nuk kanë mundur të hyjnë në Moldavi, e kanë organizuar udhëtimin në mënyrë individuale .

Partizani është një nga dy klubet më të mëdha të futbollit në Serbi, në pronësi të shtetit.

Daçiq i kërkon Moldavisë detaje rreth akuzave të presidentes

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka mohuar deklaratën e presidentes së Moldavisë, Maja Sandu, për pjesëmarrjen e mundshme të qytetarëve serbë në aksione subversive që synojnë destabilizimin e Moldavisë.

Daçiq ka kërkuar që Moldavia urgjentisht t’i dërgojë të gjitha informacionet që ka, sepse, siç ka thënë ai, Serbia nuk ka marrë asnjëherë një informacion të tillë nga Moldavia.

“I kam dhënë urdhër ambasadorit tonë të akredituar në Kishinau, që të kërkojë urgjentisht sqarimin e deklaratës së tillë të presidentes së Moldavisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme moldave, si dhe të na japin urgjentisht të gjitha informacionet për personat që dyshohen se mund të jenë pjesëmarrës në veprime të tilla të dhunshme”, tha Daçiq për Tanjug.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, theksohet se Daçiq ka thënë se në skenën ndërkombëtare ka shumë shembuj të lajmeve të rreme.

Ai përkujtoi se sipas ligjeve të brendshme, çdo pjesëmarrje e shtetasve serbë në konfliktet e armatosura jashtë vendit është vepër penale.

Më 14 shkurt, Rusia hodhi poshtë akuzat e presidentes së Moldavisë se Moska po planifikonte të destabilizonte ish-republikën sovjetike.

“Pretendime të tilla janë krejtësisht të pabaza dhe të pavërtetuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, raportoi Reuters.

Më 14 shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan Kharchenko. Kharchenko i dorëzoi Vuçiqit një mesazh urimi nga presidenti rus, Vladimir Putin, me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë.

“E vlerësojmë shumë kursin e balancuar të politikës së jashtme që Beogradi e zbaton në rrethanat aktuale komplekse ndërkombëtare”, thuhet në urimin e presidentit rus.

Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë dhe Turqinë, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje.

Putin shtoi se është i bindur se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik rus-serb korrespondon plotësisht me interesat e “kombeve vëllazërore”.

Sipas një komunikate nga kabineti i presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe Kharchenko nuk i komentuan deklaratat e presidentes së Moldavisë.