POLITIKE

SHBA: Kryetarët mbesin në detyrë, na vjen keq që Lista Serbe dhe tjerët nuk e rishqyrtuan pozicionet e tyre

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shprehur keqardhje ndaj Listës Serbe dhe akterëve tjerë politikë serbë të Kosovës që nuk rishqyrtuan vendimin për mospjesëmarrje në votimet e sotme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunat e Veriut.

Këtë përgjigje Ambasada e SHBA-së e ka dhënë për Gazetën Express, pas mbylljes së qendrave të votimit, me ç’rast edhe u konstatua dështimi i iniciativës për largimin e kryetarëve, duke theksuar se kryetarët e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut mbesin në funksion sipas ligjit.

SHBA dhe partnerët e saj e ndoqën nga afër procesin e votimit dhe sikurse edhe KQZ konstatojnë se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën.

Zëdhënësi citon ambasadorin Hovenier që është e rëndësishme për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.

Pavarësisht kësaj, SHBA shpreh keqardhje për tërheqjen e Listës Serbe dhe politikanëve serbë të Kosovës nga mundësia për largimin e kryetarëve në Veri.

“Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i bënë thirrje Listës Serbe dhe akterëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim ligjor për tërheqjen e kryetarëve. Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, vijon përgjigja e zëdhënësit të ambasadës së SHBA-së për Gazetën Express.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë të cilës u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj e ndoqën këtë proces nga afër.

“Jemi të vetëdijshëm se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e bashkive. Kryetarët aktualë të komunave u zgjodhën dhe mbesin në detyrë sipas kornizës ligjore të Kosovës”, përfundon përgjigja.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, pas mbylljes së qendrave të votimit konfirmoi se ka dështuar shkarkimi i katër kryetarëve shqiptarë në veri për shkak të mospjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

Në një konferencë të thirrur për media ai tha se në Zveçan s’ka pasur asnjë votues.

“Të 23 qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00, sipas të dhënave që kemi pranuar në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim:

Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, Zveçan nuk ka votuar asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 111 votues”, tha Radoniqi.

“Nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, pra nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm, prandaj konstatojmë se iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar”, konfirmoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beogradi përmes Listës Serbe ka bërë presion te serbët lokalë që të bojkotojnë procesin.

Me këtë akt, Osmani thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj. Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal, i bën thirrje BE-së t’i heq masat ndaj Kosovës, sepse thotë se edhe përkundër mundësisë për largimin e kryetarëve në Veri, Lista Serbe dhe Beogradi urdhëruan bojkotimin e procesit të votimit. Kësisoj ai shprehet se Kosova nuk mund të mbetet prapa.

Ministri Krasniqi thekson se Kosova ka zbatuar marrëveshjen e Bratisllavës dhe Kosova duhet të ecë përpara.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, Lista Srpska që hapur e pranon afërsinë me Beogradin zyrtar, ka deklaruar se procesi i sotëm ishte “një shfaqje e Kurtit”.

“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, u tha në njoftimin e tyre.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

7 orë ago
  • KRYESORE

Përshkallëzohet tensioni në Gjirin Persik, Irani sulmon bazat amerikane me raketa balistike

Irani ka lëshuar raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pasi Shtetet…

17 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Propaganda pro-iraniane në protestat për Zvërnecin? Video “Lego” me AI paraqesin Shqipërinë si pjesë të rezistencës kundër Izraelit

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin…

17 orë ago
  • KRYESORE

Izraeli dërgoi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin si pjesë e një rrjeti sekret në të gjithë rajonin

Izraeli vendosi fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin,…

22 orë ago
  • KRYESORE

Hovenier: Nëse Kosova s’i përgjigjet ofertës së Trumpit për gazin, SHBA-ja mund të humbasë interesin për të

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…

1 ditë ago
  • POLITIKE

Rama: Protestat për Zvërnecin janë “luftë hibride”, po përdoren nga armiqtë e Shqipërisë dhe Izraelit!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…

1 ditë ago