Qendra Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) t’i shpallin persona “non grata” përkrahësit ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq të cilit iu konfirmua dënimi me burg të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë dhe mizoritë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995.
Nëpërmjet një komunikate, qendra kanë përmendur emrat dhe pasuesit ideologjik të Ratko Mlladiqit.
“Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe dhe të atyre në Republikën Serbska në Bosnje, janë mentorët dhe pasuesit ideologjik të Ratko Mlladiqit”, thuhet në komunikatën për media.
Nga kjo qendër thonë se dënimi me burg të përjetshëm për Ratko Mlladiqin simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet.
“Megjithëse i vonuar, dënimi me burg të përjetshëm i Ratko Mlladiqit simbolizon mesazh të qartë se gjenocidi është krim që nuk vjetërsohet. Mirëpo dënimet e kësaj natyre kanë për funksion edhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla. Fatkeqësisht reagimet e bartësve të institucioneve në Serbi dhe në Republikën Serbska, që ishte produkt i këtij gjenocidi, dëshmojnë të kundërtën. Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vulin, Millorad Dodik, Ana Bërnabiq dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike serbe vazhdojnë të mohojnë gjenocidin dhe të madhërojnë kriminelin Ratko Mlladiq”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Heshtja e vendeve demokratike përballë siç thonë nga qendra, kësaj arrogance mund t’i inkurajojë që krimet të përsëriten.
“Është moment tejet i rëndësishëm që SHBA-të dhe BE-ja të shpallë persona ‘non grata’ të gjithë mentorët, pasuesit ideologjik dhe mohuesit e gjenocidit, sepse heshtja e vendeve demokratike përballë kësaj arrogance që del në përkrahje të krimeve të kryera mund t’i inkurajojë që të përsërisin krimet”, përfundon komunikata.