Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka lëshuar një akuzë të fortë kundrejt SHBA-ve, ku ka thënë se amerikanët po ruajnë 200 armë bërthamore në Evropë dhe kanë gati 257 avionë luftarakë për t’i përdorur ato.
Në takimin që kreu i Kremlinit mbajti me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, të shtunën e 25 qershorit, ai pretendoi se shumica e këtyre armëve janë bomba bërthamore dhe po ruhen momentalisht në gjashtë shtete evropiane, por pa i specifikuar ato.
E vetmja gjë që ai bëri me dije, është se të gjashta vendet, janë pjesë e aleancës së NATO-s.
Madje, ai ka shtuar se një pjesë e armëve bërthamore zotërohet nga vetë këto shtete, duke hedhur dyshime se këtu po i referohet vendeve të mëdha evropiane.
Pavarësisht këtij fakti, numri një i Moskës nuk mendon se ka nevojë për një përgjigje të shpejtë ruse ndaj këtyre lëvizjeve të fundit amerikane të pretenduara prej tij.
Vetë Lukashenko, ka qenë ai i cili e ka pyetur Putinin nëse masa mbrojtëse reciproke do të merren nga Rusia.
Mirëpo presidenti rus, deklaroi se momentalisht nuk është nevoja për diçka të tillë, edhe pse duhen marrë masa për sigurinë e dy vendeve aleate, Rusinë dhe Bjellorusinë.
Lukashenko është ndër liderët e pakët botërore, i cili po i qëndron pa kushte në krah Putinit, pavarësisht çdo situate të krijuar dhe kërcënimi perëndimor ndaj Minskut.
Një numër i konsiderueshëm avionësh luftarakë Su-25 po dërgohen ndërkaq nga Rusia në drejtim të vendit fqinj, si shenjë ndihme për të garantuar sigurinë territoriale të Bjellorusisë.
Nga vendet e NATO-s, vetë SHBA-të apo Bashkimi Evropian, nuk ka ende asnjë koment mbi deklaratat e Putin, pavarësisht ashpërsisë së tyre.
Prej fillim marsit ndërkohë, vetë Rusia ka qenë ajo e cila i ka vënë armët bërthamore në gatishmëri, nën pretendimin se po i kërcënohet integriteti territorial si pasojë e një kundërpërgjigjeje të mundshme perëndimore ndaj agresionit rus në Ukrainë, me nisje më 24 shkurt 2022, i cili ende vijon.