Udhëheqësja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Biljana Pantiq-Pilja, ka thënë se hapësira e Serbisë për manovrim është shumë e ngushtë para mbledhjes së nesërme (27.03) të Komisionit Politik të (APKiE) ku do të votohet raporti i Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
“Bakoyannis do të prezantojë raportin dhe qëndrimin e saj, të cilin fatkeqësisht e ka ndryshuar në krahasim me dy javë më parë. Do të ketë një diskutim dhe pritet një votim dhe dy të tretat e votave do të jenë të mjaftueshme për të kaluar raportin. Duke pasur parasysh se në APKiE nuk ka më asnjë delegacion rus dhe që nga janari as delegacioni i Azerbajxhanit, hapësira e Serbisë për manovrim është ngushtuar mjaft për sa i përket numrit të miqve tanë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thotë Pilja.
Siç transmetojnë mediat serbe, krahas rekomandimit që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, raportuesja Bakoyannis shprehu mendimin e saj në media se anëtarësimi i saj do t’i sillte të drejtën komunitetit serb dhe të gjitha pakicave të tjera në Kosovë që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila, sipas saj do t’u sillte mbrojtje më të mirë, për çfarë Pantiq-Pilja thotë se kjo është një deklaratë shumë hipokrite.