Grupi i shkencëtarëve të Universitetit të Oksfordit që ka krijuar vaksinën potenciale kundër koronavirusit është shprehur i inkurajuar me rezultatet gjatë testimeve. Megjithatë, shkencëtarët kanë refuzuar të japin informata se kur mund të jetë e gatshme një vaksinë.
Duke folur në një konferencë me deputetët britanikë, Sarah Gilbert, profesoreshë në këtë universitet, ka thënë se 8000 vullnetarë janë përfshirë në Fazën e tretë të testimit të vaksinës, “AZD1222”.
“Jemi shumë të lumtur që po shohim reagim në nivel të tillë që të sigurojmë mbrojtje, dhe jo reagim të gabuar”, ka thënë ajo.
Projekti ka nisur fazën e tretë të testimit për të parë se si vaksina po funksionon në popullatën më të madhe se 18-vjeçare.
Gara për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19 është zgjeruar, me frikën se pandemia mund të rikthehet kah fundi i vitit.
Gilbert po ashtu ka thënë se shpreson që vaksina e Oksfordit të bëhet shpejt, por s’ka qenë specifike se kur mund të jetë një afat kohor për daljen e saj.
John Bell, profesor në këtë universitet, ka thënë se Britania duhet të përgatitet që vaksinë nuk do të ketë në dimër.
“E gjithë kjo epidemi është bazuar në supozime që s’kanë dalë të jenë të vërteta. Andaj këshilla ime është të përgatiteni për më të keqen”, ka thënë ai.